SHBA kanë goditur qendra komanduese ushtarake iraniane, mjete detare, baza për lëshimin e raketave dhe dronëve, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, me synimin për të reduktuar aftësinë e Iranit për të vazhduar sulmet ndaj anijeve tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Kështu shkruan në platformën X Komanda Qendrore e SHBA-së, duke njoftuar përfundimin e valësh së 10-të sulmeve ndaj Iranit që prej rikthimit të përplasjeve.
Ndërkohë tre dronë të mbushur me eksploziv u rrëzuan pranë konsullatës amerikane në Erbil, Irak, thanë burime të sigurisë për Reuters. Si pasojë aeroporti lokal pezulloi përkohësisht fluturimet për arsye sigurie.
Më herët Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha se kishte goditur objektiva ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, sipas mediave shtetërore iraniane. Sipas IRNA-s, gjatë një sulmi të koordinuar ndaj bazës Ahmed Al-Jaber në Kuvajt, Garda Revolucionare arriti të shkatërrojë pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës militare amerikane aty.
Ndër të tjera Garda Revolucionare pretendoi se kishte shkatërruar një qendër të dhënash të korporatës amerikane amazon në Bahrein për të cilën nuk ka shumë verifikime.
Pasdaranët në një deklaratë thanë se Ngushtica e Hormuzit mbetet në kontrollin e tyre dhe për sa kohë SHBA do të vijojnë sulmet do të pengojnë çdo anije tregtare që lundron jashtë udhëzimeve të tyre.
Por në krizën e Lindjes së Mesme duket se po shfaqet në sfond një tjetër problem.
Të hënën në mbrëmje një zëdhënës i rebelëve Houthi në Jemen shpalli një bllokadë detare në ngushticën Bab El Mandeb, në gjirin e Adenit e cila është pika hyrëse për në Detin e Kuq nga Deti i Arabisë.
Houthët të mbështetur nga Teherani zyrtar nuk dhanë shumë shpjegime në lidhje me mënyrën sesi do të realizohej kjo bllokadë por zëdhënësi ushtarak i Houthive, Yahya Saree, deklaroi se vendimi vjen pasi Arabia Saudite bombardoi javën e kaluar aeroportin e Sanaas dhe për faktin se ata mbajnë baza amerikane në territorin e tyre.
Mbyllja e kësaj ngushtice do të nënkuptonte bllokimin e eksporteve të naftës saudite drejt Azisë dhe një ulje të mundshme të furnizimit global me naftë deri në 7%.
Trump sipas Axios, po vlerëson dy skenarë me kabinetin e tij. Një armëpushim 10 ditor të propozuar nga Pakistani ndërmjetësues ose rikthimin në luftë të hapur njësoj si në pranverë.

