Duke u ndalur te videoja virale e një nëne me fëmijën e saj autik, të cilët u prekën nga gazi lotsjellës i hedhur nga Policia gjatë protestës pranë Parlamentit, kryeministri Edi Rama akuzoi organizatorët e protestës se e përdorën rastin për përfitime politike.
“E kishin marrë me vete për ta kthyer në viktimë të policisë, e cila ishte aty për të mbrojtur deputetët nga dhuna. Ne sapo e kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë dhe kemi rritur mbështetjen për nënat e tyre. Ky është fakti ynë. Por përjetimi i asaj nëne është krejt tjetër. Ajo mund të mos jetë fare e informuar për këtë mbështetje, por nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë.
Pikërisht aty, në fund të këtij hendeku, hynë sorrat dhe korbat me solidaritetin e tyre hipokrit. E morën me vete te Parlamenti për ta përdorur bashkë me fëmijën autik. Me të njëjtin manual si terroristët, duke i përdorur si mburojë ndërsa sulmonin Policinë e Shtetit me maska. Më pas e vunë para kamerave, e shfrytëzuan dhe e nxorën në publik për t’i qarë hallin. Lotët e saj i kthyen në breshër në rrjetet sociale përmes algoritmit, pastaj e lanë në fatin e saj dhe u nisën drejt mikrofonit në bulevard. Si ata skuthat që çojnë të tjerët mish për top dhe më pas kërkojnë solidaritet”, tha Rama.

