Nga Sherefedin Shehu
Udhëheqësi i PD-së së Italisë shpalli dorëheqjen pa hezitim dhe të parovokushme, sepse i ranë rezultatet në zgjedhje. Udhëheqësi i PD-së time, me rezultatin më të dobët historik në zgjedhje, nuk guxon të dorëhiqet por “ngrin” dhe “rizgjidhet” kryetar i partisë.
Edhe pse rezultati zgjedhor në Itali jep shumë mundësi për koalicione, Z. Renzi tha që ne nuk bëjmë koalicion vetëm për të qenë në pushtet. Z. Basha, për hir të pushtetit, bëri një marrëveshje parazgjedhore diskredituese që akoma vazhdon ta mbajë peng atë edhe PD-në. Rënien e rezultave në zgjedhje Z. Renzi e quan “Një humbje të qartë, që imponon një faqe të re në PD”.
Ndërsa humbja më e qartë e PD-së time nuk imponoi faqe të re por spastrim në PD. Faqja e re të fillojë nga baza e partisë dhe me hapjen e komunikimit të saj me njerëzit – tha Z. Renzi. Kryetari im Basha e hap faqen me një “analizë dhe konsultim” farsë, që nuk dihet se kur fillon dhe kur mbaron, dhe komunikimin e shtrin deri tek një grup servilësh të paaftë, që nuk i lidh asgjë as me qytetarët dhe as me PD-në.
E kështu mund të bëhen shumë paralelizama. Por që të mos e marrë për keq Z. Basha po e mbyll duke i thënë që të mos më dëgjojë mua dhe ata që e kritikojnë. Vetëm dëgjo europianët dhe bëj siç bëjnë ata.