HomeAktualitetKryesore

KQZ rrëzon pretendimet e PD, mbeten në detyrë kryebashkiakët e Matit dhe Librazhdit

KQZ rrëzon pretendimet e PD, mbeten në detyrë kryebashkiakët e Matit dhe Librazhdit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar ditën e djeshme pretendimet e Partisë Demokratike sa i takon dy kryebashkiakëve, atij të Matit dhe të Librazhdit, duke i lënë në detyrë. Ditën e djeshme u mblodh KQZ për të shqyrtuar hetimin e Prokurorisë për kreun e Bashkisë së Matit Agron Malaj, dhe për kreun e Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra dhe i la në detyrë me 5 vota pro dhe asnjë kundër.

Nënkryetari i KQZ, Denar Biba në nisje të mbledhjes, u shpreh se penaliteti i Malajt sipas prokurorisë ka mbaruar në kohën kur ai kandidoi për kryetar bashkie, kësisoj ai nuk ishte në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, për më tepër Malaj e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ishte dënuar me 10 muaj burg për armëmbajtje pa leje në vitin 1999.

Sakaq Biba u shpreh se, pa rrëzuar vendimin e 2019 të Prokurorisë, e cila deklaroi asokohe se Malaj mund ta ushtrojë detyrën, nuk mund të vijohet me vendimmarrje të re. Sakaq KQZ lejoi Malajn të vijojë detyrën dhe rrëzoi për pasojë pretendimin e PD. “Jemi mbledhur për të vendosur lidhur me shqyrtimin e hetimit të prokurorisë për Malajn. Objekti duhet të ndryshojë. Malaj ka qenë i punësuar në administratë publike dhe prandaj është kërkuar betim. Në atë kohë prokuroria e ka kryer këtë hetim. Në bazë të vendimit që ka marrë prokuroria ne kemi marrë një vendim në 2019 tepër korrekt që është ende në fuqi”, është shprehur Biba gjatë mbledhjes së djeshme.

Rrëzohet pretendimi i PD

Ndërkohë përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Erdian Salianji, në fjalën e tij sqaroi sa i takon kryebashkiakut Malaj se, Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar se Malaj nuk ka penalitet për gjithë jetën, por sipas ligjit ai mund të marrë funksione publike sikurse është detyra e kryebashkiakut. Në lidhje me pretendimin e PD, Salianji u shpreh se Prokuroria ka deklaruar që autori duhet të dënohet sipas ligjit kur ka kryer akt akuzën, në rastin e Malajt duhet të dënohet sipas ligjit të vitit 1999 kur ai është dënuar për armëmbajtje pa leje.

Kësisoj, Salianji sqaroi se sipas ligjit të 1999, Malaj lejohet të kryejë detyrën dhe pretendimi i PD rrëzohet. “Periudha e ndalimit është deri në momentin e rehabilitimit. Në 2019 dorëzoi formularin e vetëdeklarimit dhe KQZ vendosi njoftimin për vijimin e procedurave se nuk ndodhet në kushtet e ndalimit. Prokuroria e Përgjithshme pas kërkesës së PD-së, theksoi se nuk ka asnjë masë tjetër veç atyre të deklaruara.

Në lidhje me pretendimin e PD-së se kryetari i Bashkisë Mat është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, KQZ duke qenë se nuk ndodhet para asnjë prove të re, ndodhet para një gjëje të gjykuar. Pra ky është subjekt që gjykohet për të dytën herë. Këtë person e kemi hetuar dhe gjykuar dy herë, kur ka qenë nëpunës i thjeshtë në 2016 kur ka qenë punonjës i OSHEE-së dhe prokuroria ka thënë nuk është në kushtet e ndalimit të funksionit.

Edhe tani, që është kryetar bashkie, gjykohet nga e njëjta prokurori dhe rezultatet janë të njëjta. Zoti Malaj nuk duhet të diskutohet më. Të shterohen të gjitha akuzat e pabaza, pra mos lihet e hapur, mbylleni këtë si procedurë”, tha përfaqësuesi i PS. Avokatja e Agron Malajt mbajti fjalën e saj gjatë mbledhjes së djeshme, ku u shpreh se çështja është tejzgjatur dhe është abuzuar me figurën e tij, për një dënim të cilin ai e ka marrë kur ishte 18 vjeç.

Ajo propozoi që çështja të mbyllej ditën e djeshme për të mos u rihapur më. Ajo theksoi në fjalën e saj se kryebashkiaku Malaj e ka vetëdeklaruar dënimin në formularin e dekriminalizimit. Më tej ajo vuri në dukje se nuk ka gjetje apo fakte të reja përpos atyre që Malaj ka deklaruar kësisoj nuk ka pse çështja të zgjatet.