HomeHumor

Tit Vasili i shkruan Bilushit të Metës nga spitali: Nuk do pranoj sëmundjen!

Tit Vasili i shkruan Bilushit të Metës nga spitali: Nuk do pranoj sëmundjen!

Pas kërkesës së Bilushit të Metës që Tit Vasili të përjashtohej nga LSI, pasi ka fyer kauzën e saj duke u sëmurë nga COVID-19, sot ka pasur një tërheqje.

Në një letër nga spitali, Tit Vasili i ka kërkuar Bilushit të tërheqë kërkesën e tij, kundrejt sakrificës që do bëjë ai si i sëmurë, për emrin e LSI-së:

“Të dashur shokë!

Po ju shkruaj në kushte ilegaliteti, për të mos dëmtuar kauzën e LSI-së.

E pashë shqetësimin e Bilushit lidhur me faktin se sëmundja ime dëmton LSI-në.

Kjo për mua është gjëja më e rëndë që më ka ndodhur dhe nuk do të doja kurrë jetën time, nëse dëmtohej LSI.

Por ndonjëherë sëmundjeve nuk ke çfarë u bën.

Për këtë kam vendosur të kurohem në një spital privat, që të mos futem në statistikat e shtetit, dhe do rregjistrohem sikur kam pneumoni të rëndë.

Kjo më mbron ligjërisht dhe moralisht para atyre që duan të dëmtojnë LSI-në me betejën e saj kundër COVID.

E dyta, do të përpiqem deri në fund që të mos merret vesh që jam shtruar dhe që po mjekohem.

Kam porositur shokët e mi të bëjnë deklarata në emër tim çdo ditë, që të dukem sikur jam aktiv dhe nuk kam probleme me sëmundjen.

Të gjithë këtë e bëj për t’i krijuar qetësi kryetares së LSI-së, të vazhdojë fushatën e saj kundër ekzistencës së COVID- 19, e cila po e shkatërron fare Edi Ramën.

Me shpresë se shokët e partisë do më mirëkuptojnë, lutem të mos merrni masa përjashtimi për mua, pasi unë po bëj sakrificë sublime për të ruajtur emrin e saj.

I juaji, Tit Vasili!”