HomeAktualitetDebat

Pse Monika Kryemadhi duhet të tregojë se kur e ka kaluar Covid-in

Pse Monika Kryemadhi duhet të tregojë se kur e ka kaluar Covid-in

Monika Kryemadhi mund të ishte dhe Zonja e Parë e Shqipërisë. Çifti presidencial zgjodhi që kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, partisë që Ilir Meta ia përcolli Petrit Vasilit për t’ia kaluar më pas bashkëshortes së tij, të mos e mbante këtë status zyrtar.

Por kjo nuk e ndryshon faktin që Monika Kryemadhi është bashkëshortja e presidentit të Shqipërisë. Dje ajo ka bërë një zbulim në media.

E ka lëshuar si pa të keq, por në fakt, rëndësia e fjalëve që ka nxjerrë nga goja gruaja e Ilir Metës është shumë më e madhe.

Kryemadhi ka thënë se e ka kaluar tashmë Covid-19. Ka thënë edhe që gjatë kohës që ka qenë e infektuar, ajo ka puthur në buzë të shoqin, po kjo nuk përbën ndonjë interes për shëndetin e shqiptarëve.

Ajo që përbën interes është që, Monika Kryemadhi, si kryetare e një partie në opozitë, si bashkëshorte e presidentit të Republikës, si një personazh publik që për muaj të tërë u ka thënë njerëzve se Covid-19 nuk ekziston dhe se mund të luftohet me hudhra dhe raki, të tregojë sot, se në cilën periudhë kohore e ka kaluar Covid?

Më tej, është e detyrë e mediave, e institucioneve përgjegjëse, të bëjnë një ballafaqim të thjeshtë të fakteve:

A ka zhvilluar Monika Kryemadhi aktivitete publike gjatë kohës që thotë se ka qenë e prekur me Covid-19?

A ka shkelur Monika Kryemadhi ligjin që ka dekretuar bashkëshorti i saj?

A është infektuar presidenti i Republikës, që ndan krevatin me të shoqen, dhe a e ka ai detyrim që të bëjë transparencë?

Më e rëndësishmja: Sa qytetarë mund të ketë infektuar Monika Kryemadhi, direkt dhe indirekt? Direkt duke shkëmbyer duarshtrëngime dhe përqafime në aktivitetet e saj politike, edhe ato në shkelje të rregullave.

Indirekt duke u thënë se nuk ka Covid apo duke u kërkuar të heqin maskën në prani të saj. Çifti presidencial ka detyrimin të bëjë transparencë.

Le të gjejë kohë në hapësirën mes mbledhjeve të komitetit presidencial që kryeson ish- ministri veteriner.