Zhvillimi i suksesshëm i protestës në ditën e gjashtë ka nxjerrë dhe problemet e veta.
Me këtë rast presidenti vendos t’u tërheqë vërejtjen publikisht disa personaliteteve të cilët me apo pa dashje, kanë dëmtuar kauzën.
1-Kaç Islamit i tërhiqet vërejta për citimet e Konicës në përpjekje për të ngritur lart frymën revolucionare të protestuesve.
Konica është i vështirë për kalamajtë dhe ata nuk kanë kuptuar asgjë.
Ndaj duhet të gjejë literaturë më të përshtatshme.
2-Aktorit Budina, që në përpjekje për të frymëzuar protestuesit, merr si shembull Kosta Rikën.
Nga një sondazh që LSI bëri mes të rinjëve protestues, kur u pyetën “A e dini se çfarë ka bërë Kosta Rika?”, ata thanë, “Kosta Rika është grek, ne jena shqiptarë, jena me Sali Berishën”.
3-Çim Pekës i tërhiqet vërejtja për promovimin që i ka bërë Tak Ngjelës.
Pa kontributin e tij, avokat Ngjelën nuk do ta njihte askush në Shqipëri.
Ai e ka zbuluar dhe e ka promovuar, ndërkohë që Ngjela tani është kundër protestave.
Ky është një gabim i rëndë, që nuk duhet të përsëritet
4-Gjekmarkajt i tërhiqet vërejtje që ishte gati të vritej për Gridën kur e fyen në TV dhe nuk ka thënë asnjë fjalë për Voltanën, që e bënë copë.
Kjo lë përshtypjen që ai i vlerëson njerëzit nga pamja e jashtme dhe jo nga shpirti revolucionar.
5-Neritan Cekës për lavdërimet që u ka bërë drejtuesve të rinj të PD, si djem të bukur, të pashëm, dhe njëkohësisht pro amerikanë dhe pro europianë.
Kjo duket si provokim për LSI-në, e cila e ka të qartë vijën e saj politike, që nuk ka lidhje me këto që thotë Neritani.
6-Kleves Balliut, që harxhoi talentin e tij për të shkruar librin “Beteja për unazën” dhe tani nuk ka më fuqi të shkruajë librin “Beteja për Bulevardin”.
Kjo situatë duhet ta motivojë më shumë.
7-Stresit për dekonspirim të mjeteve me të cilat mund t’i ikësh policisë.
Arratisja e tij me makinë funerali duhet të mbahej sekret, pasi tani policia po kontrollon çdo makinë funerali dhe na ka kapur disa shokë.
8-Mesilës e cila vazhdimisht del e krahason faktin se palma e 21 janarit tek Kryeministria, ishte më e mirë se bredhi i Vitit të Ri që dogjën çunat tanë në shesh.
Çdo krahasim me 21 janarin çalon dhe nuk i bën mirë çështjes.