HomeAktualitetKronike

SPAK zbarkon në Gjykatën e Krujës, arrestohet gjyqtarja Enkelejda Hoxha e dhjetra zyrtarë

SPAK zbarkon në Gjykatën e Krujës, arrestohet gjyqtarja Enkelejda Hoxha e dhjetra zyrtarë

Prokuroria Speciale Anti-Korrupsionit, SPAK, ka firmosur disa urdhra-arresti për funksionarë të Gjykatës së Krujës.

Mes të arrestuarve ka edhe gjyqtarë. Oficerë të policisë gjyqësore kanë bastisur ambientet e Gjykatës së Krujës mëngjesin e kësaj të enjteje, duke zbatuar urdhër-arrestet e SPAK.

Në mesin e të arrestuarve është edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila liroi nga burgu Indrit Doklen.

Në pranga ranë dhe avokati Aldo Tabaku dhe kancelarja e kësaj gjykate, Manuela Mallkuçi, të akuzuar për korrupsion pasiv.

Të arrestuarit e tjerë janë; Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Sajmir Petani, Bledar Petani, Altin Skëndaj, Gazmir Nezaj, Gentjan Nezaj, Isuf Tanuzi.

Këta të fundit akuzohen për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Për gjyqtaren Hoxha, kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, ka kërkuar edhe shkarkimin nga detyra.

Sipas raportit hetimor të ILD, gjyqtarja e Krujës ka dhënë 6 vendime në harkun kohor të maj 2017- nëntor 2019 që përbëjnë akte që diskreditojnë figurën e gjyqtarit.

ILD konstaton se gjyqtarja Hoxha ka kryer procese tërësisht të njëanshme teksa kujton se ajo ka gisht edhe në një vrasje të këtij viti, Hekuran Billës, të cilin e liroi edhe këtë para kohe me kusht dhe në fund u ekzekutua.

Në janar të 2020-ës po ashtu ishte ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj që kërkoi ndjekje penale për gjyqtaren Hoxha pasi liroi me kusht para kohe ish-anëtarin e bandës së Durrësit, Endrit Doklen.

Përveç Dokles, në 7 nëntor të vitit 2017, Enkeleida Hoxha liroi nga burgu Genci Tafilin, vëllanë e Admir Tafilit, të dy emra shumë të njohur për drejtësinë shqiptare, të akuzuar dhe dënuar për disa vepra penale.

Genc Tafili është liruar në vitin 2017 me kusht nga Gjykata e Krujës nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha, pasi kreu 17 vite burg.

Po në nëntor të 2017-ës, gjyqtarja Enkeleida Hoxha liroi edhe Ilir Pajën nga burgu, të njohur me nofkën “UFO” nga drejtësia italiane, pasi ishte arratisur tri herë.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.102/2 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si edhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, etj., parashikuar nga nenet 245/1, 319/ç, të Kodit Penal.

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal nga policia gjyqësore e Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi, të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit. Nga ky hetim disamujor u grumbulluan prova të nevojshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:

Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal;

Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë dhe 319/ç të Kodit Penal.

Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 244 të Kodit Penal;

Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal;

Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyëqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.