HomeAktualitetDebat

Bilushi i Metës reagon ndaj autokritikës së SHBA për Meten: Thellohuni!

Bilushi i Metës reagon ndaj autokritikës së SHBA për Meten: Thellohuni!

Pas autokritikës që Departamenti i Shtetit bëri pranë zyrës së Bilushit rreth dekoratës së Dvoranit, Bilushi vendosi t’u kthejë mbrapsht autokritikën, duke mos e pranuar atë:

“Të nderuar zotërinj!

E morëm autokritikën tuaj drejtuar presidentit, me rastin e dekorimit të gjyqtarit Dvorani, që për ne është armik i drejtësisë në Shqipëri.

Së pari, dua t’u them se presidenti e lexoi autokritikën tuaj, por ajo ju duk e cekët.

Ju nuk jeni thelluar në problemin kryesor, që ka të bëjë me armiqtë e drejtësisë në Shqipëri, të cilët janë ambasadori amerikan, ambasadori i BE, Edi Rama dhe Ardian Dvorani.

Përkundrazi, ju u referoheni këtyre si njerëz pozitiv.

Kjo do të thotë se ju jeni prekur nga virusi i korrupsionit në drejtësi dhe nuk keni aftësi të reflektoni.

Presidenti ka për ju vetëm një porosi: “Thellohuni, thellohuni, thellohuni.”

Së dyti, në autokritikën tuaj nuk zë vend fare roli i presidentit në përballimin e pasojave të reformës në drejtësi.

Presidenti personalisht, por dhe LSI, po përballen me pasojat e reformës dhe gjyqtarët e prokurët që po hidhen rrugëve, duke ju gjendur pranë atyre.

Deri më sot kemi marr 7 fëmijë të tyre, për t’i bërë kandidatë për deputetë, me qëllim që të mos e ndjejnë veten të braktisur, por të angazhohen për një të ardhme në politikë.

Ju e keni injoruar këtë në autokritikën tuaj, që tregon se ajo është e cekët dhe e pathelluar.

Së treti, në autokritikën tuaj bëni sikur nuk keni punë me avokat Ngjelën dhe nuk e zini në gojë, por në fakt ai përditë shpërndan udhëzimet tuaja kundër presidentit.

Sot e ka bërë përsëri.

Pse ndaj presidentit dhe Doktorit reagoni duke i dekoruar armiqtë e tyre, ndërsa ndaj avokat Ngjelës nuk reagoni?

Kjo tregon se jeni të përzier kokë e këmbë në këtë histori dhe se keni nxitur sulme ndaj presidentit dhe Doktorit.

Presidenti i del vet zot vetes dhe ua dha përgjigjen siç e meritonit sot.

Doktori nxjerr dhëndrin, pasi kanë rënë dakord si familje, që në rast se drejtësia do veprojë ndaj tyre, ata do dorëzojnë dhëndrin, se për këtë punë e kanë marrë.

Kjo është çështje e familjes së tyre.

Por e vërteta është se presidenti nuk trembet nga sulmet tuaja dhe as nga dekoratat tuaja për armiqtë e tij.

Ndaj e refuzon autokritikën tuaj si të cekët.

Ju duhet të reflektoni dhe të thelloheni, që të njihni gabimet tuaja, ndryshe ato nuk do ndreqen kurrë”.