HomeAktualitetDebat

Hapja e negociatave! Italia mesazh të rëndësishëm BE-së: Boll me zvarritje për Tiranën e Shkupin!

Hapja e negociatave! Italia mesazh të rëndësishëm BE-së: Boll me zvarritje për Tiranën e Shkupin!

Italia i ka kërkuar BE që t’u japë fund zvarritjeve dhe të vendosë një tjetër marsh sa i takon integrimit të Ballkanit Perëndimor në union, në të kundër paralajmëron se me hezitimin e Brukselit, ky rajon po u ofrohet në pjatë Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

“Mjaft më me vonesa për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Janë në dhomën e pritjes së BE-se për vite me radhë për shumë gjatë, megjithë reformat e dhimbshme që kanë bërë. Shkupi dhe Tirana duhet të lejohen të vazhdojnë rrugëtimin e integrimit europian”, deklaroi në një intervistë për mediat italiane, ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio.

Vonesat e mëtejshme, tha Di Maio, jo vetëm që cenojnë edhe më tej besueshmërinë goxha të goditur të BE-së, por rrezikojnë që ta shkërmoqin fare këtë besueshmëri.

Di Maio thotë se Brukseli ka përsëritur vit pas viti gabime historike në procesin e integrimit.

“Bashkimi Europian ka nevojë për një përshpejtim të fortë të procesit të integrimit, sepse lënia e Ballkanit jashtë klubit evropian, që ka më shumë rëndësi, do të ishte një gabim historik, duke dorëzuar të gjithë rajonin te palët e treta. Ashtu si Kina, Rusia ose Turqia”, u shpreh Di Maio.  

Kryediplomati italian e sheh plotësisht të realizueshëm anëtarësimin e rajonit në BE në një periudhë afatmesme nëse unioni do të ndryshojë marsh në këtë drejtim.