HomeAktualitet

Gjykata e Posaçme hap dosjen e Gërdecit, caktohet gjyqtari që do të vendosë fatin e Fatmir Mediut

Gjykata e Posaçme hap dosjen e Gërdecit, caktohet gjyqtari që do të vendosë fatin e Fatmir Mediut

Gjykata e Posaçme ka hapur dosjen e Gërdecit. Ditën e djeshme është përcaktuar gjyqtari Erion Çela si relator ndaj kërkesës së SPAK kundër Fatmir Mediut.

Në fillim të muajit qershor, Gjykata e Lartë vendosi revokimin e vendimit që pengonte gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për dosjen e Gërdecit. Tashmë që çështja u rihap sërish dhe Mediu do të gjykohet.

Pak javë më parë, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK i kërkoi Gjykatës së Lartë të nisë procesin e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediu në lidhje me shpërthimin e municioneve në fabrikën e demontimit në Gërdec, kërkesë e cila u rrëzua nga GJL.

Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë u depozitua kërkesa e Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindër të E.D., i cili humbi jetën në moshën 7 vjeç në shpërthimin e ndodhur në Gërdec, me objekt ndjekjen penale të Fatmir Mediut, ish- ministër i Mbrojtjes.

Sipas SPAK, ndjekja penale ndaj Mediut nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pasi sipas saj, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Ishin familjarë të viktimave të shpërthimit të Gërdecit në mars të vitit 2008, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën afro 300 të tjerë, që kërkuan hapjen e procesit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Mediu dha dorëheqjen menjëherë pas shpërthimit, ndërsa Prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të tij.

Në përfundim të hetimeve ajo çoi në verën e vitit 2009, dosjen në gjykatë për nisjen e procesit nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Por në atë kohë zoti Mediu u rizgjodh deputet duke rifituar imunitetin e për pasojë Gjykata e Lartë e pezulloi procesin.