HomeDiaspora

“Ne të ushqyem, ti na vrave vajzën”! Rrëfimi tronditës i shqiptarit në Greqi

“Ne të ushqyem, ti na vrave vajzën”! Rrëfimi tronditës i shqiptarit në Greqi

Florand Shehu, shqiptari që vrau gruan e tij pak ditë më parë në banesën e tyre në Greqi, është lënë në burg nga gjykata. Vrasësi ka ndryshuar dëshminë para trupit gjykues, duke deklaruar se e ndjera nuk ka qenë në gjumë në momentin që ai i mori jetën.

Mediat greke raportojnë se shqiptari është dërguar në gjykatë nga forcat e policisë. Pranë godinës ai u sulmua nga familjarët e viktimës Anisa Shehu. Më shumë se 10 familjarë të saj hodhën shishe dhe gota uji në drejtim të tij, ndërsa dy prej tyre u afruan për ta qëlluar me grusht në fytyrë, por u penguan nga policia.

Në momentin e sjelljes së hetuesit, një i afërm bërtiti: “Ne të kishim në shtëpi dhe po të ushqenim dhe ti na vrave vajzën”.

Në të njëjtën kohë, të afërmit u përpoqën të hynin në ndërtesën ku ndodhet zyra e hetuesit, por u ndaluan nga policia. Vrasësi 39-vjeçar është proceduar nga prokurori për “vrasje me dashje” dhe për “mbajtje të paligjshme të armëve”, përdorim armësh kundër gruas së tij. Megjithatë, autori ka pranuar se e ka vrarë, pasi ishte xheloz për të.

Sipas informacioneve, i akuzuari ka ndryshuar dëshminë në lidhje me atë që tha në polici. Sot, ai pohoi se gruaja e tij nuk ishte duke fjetur kur e sulmoi me thikë. Ai gjithashtu pohoi se kishte prova që viktima kishte një lidhje jashtëmartesore.