HomeDiaspora

“Këtu nuk ka shqiptar-maqedonas“! Kapiteni i Maqedonisë pas suksesit historik: Ka vetëm një fanellë dhe e kemi treguar

“Këtu nuk ka shqiptar-maqedonas“! Kapiteni i Maqedonisë pas suksesit historik: Ka vetëm një fanellë dhe e kemi treguar

Maqedonia e Veriut po përjeton një tjetër moment historik. Pas pjesëmarrjes për herë të aprë në Kampionatin Europian në verën që lamë pas, tashmë fqinjët lindorë i japin jetë ëndrrës për në Botëror.

Maqedonia ka luajtur sot ndeshjen e fundit në grup, ku ka mposhtur Islandën me rezultatin 3-1 dhe ka siguruar kështu vendin e dytë. Një pozicion ky që i jep përfundimisht një biletë për në fazën “play off” të Kupës së Botës që do të zhvillohet në Katar në vitin e ardhshëm.

Ndonëse Kombëtarja shqiptare së bashku me përfaqësuesen e Kosovës nuk mundën të kalojnë grupin e tyre, prezenca shqiptare në këtë fazën e fundit të kualifikueseve nuk do të mungojë.

Një pjesë e rëndësishme e Maqedonisë së Veriut përbëhet nga lojtarë shqiptarë, ndër të ciëlt Alioski dhe Bardhi kanë qenë edhe vendimtarë me golat apo asistet e tyre në prekjen e këtij suksesi. Kjo arritje madhore në kaq pak kohë vjen në periudhën e drejtimit të Federatës Maqedonase nga një president shqiptar, Sejdini.

Pas ndeshjes me Islandën, kapiteni Stefan Ristevski ka folur për mediat, ku hedhur poshtë ndarjet në dhomën e zhveshjes. Ristevski është shprehur se nuk ka shqiptarë dhe maqedonas në grupin e tyre, por vetëm një fanellë që e përfaqësojnë të gjithë.

“Sot Maqedonia është e mbytur nga gjëra të ndryshme. Më vjen mirë që e bëmë kaq të lumtur këtë popull. Kjo dhomë e zhveshjes nuk ka bardh e zi, nuk ka shqiptar-maqedonas, ka një fanellë dhe ne e tregojmë këtë dhe mendoj se Maqedonia me meritë hyri në “play off”.

Çfarë u thashë lojtarëve para ndeshjes? Ato filma m’u rikthyen nga Gjeorgjia, e di çfarë presioni është nga ajo anë, por u thashë çfarë ndava me ju. Ne duam të ecim përpara, të përparojmë, sporti bën diferencën dhe i bëmë njerëzit të lumtur.

Më vjen mirë që më në fund i kemi bashkuar njerëzit, sot Maqedonia ka treguar se dëshiron të ecë përpara dhe këta djem, ky staf profesional e kanë treguar fshehurazi se çfarë duam të arrijmë. Na kanë nënvlerësuar, por duke luftuar ne ia dolëm”, ka thënë Ristevski.