HomeAktualitetDebat

Drejtësia shqiptare si miu, Bechetti si ariu: U mori 20 milion eurot e para shqiptarëve, qeveria me sy nga apeli

Drejtësia shqiptare si miu, Bechetti si ariu: U mori 20 milion eurot e para shqiptarëve, qeveria me sy nga apeli

Sipërmarrësi italian Francesco Becchetti, i dënuar nga gjyakata shqiptare me 17 vite burg për pastrim parash, evazion, vjedhje me atë të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimi të dokumenteve ka kërkuar sot pafajësinë, duke ankimuar vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit. Kjo lëvizje e tij përkon me vendimin e dhënë nga gjykata kohë më parë, për dënimin e tij si autor i disa veprave të rënda penale.

Becchetti mësohet se ka arritur të marrë 20 milion eurot e para shtetit shqiptar nga 110 milion euro në total të fituara në gjyqin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila ka dënuar Shqipërinë për konfliktin me biznesmenin italian.

Becchetti, konfiskoi 20 milionë eurot e para nga paratë e qytetarëve shqiptarë. Përkundër zotimeve publike të kryeministrit Edi Rama se Becchetti nuk do të merrte asnjë qindarkë të taksapaguesve (duke pasur parasysh dënimin e tij me burg) një gjykatë në Bruksel i ka dhënë të drejtë ish-pronarit të Agon Channel të konfiskojë të gjitha të ardhurat që Shqipëria përfiton nga hapësira ajrore. Gjykatësi Philip Badeux ka konkluduar se të ardhurat e Shqipërisë në Eurocontrol nuk gëzojnë imunitet duke i dhënë të drejtë Francesco Becchettit që t’i konfiskojë ato.

Tarifat e përdorimit të hapësirës ajrore paguhen nga shoqëritë e fluturimit dhe mblidhen nga Eurocontrol. Më pas, Eurocontrol i derdh ato në agjencitë ajrore të secilit shtet, në varësi të trafikut të fluturimit. Në rastin e Shqipërisë, paratë derdhen në llogarinë e Albcontrol dhe ato janë instrumenti i vetëm që financon këtë institucion.

Llogaria e Shqipërisë në Eurocontrol është bllokuar nga biznesmeni italian që në datën 1 dhjetor të vitit 2020. Qeveria shqiptare e ankimoi bllokimin në gjykatën belge. Procesi zgjati më shumë se 15 muaj dhe në fund gjykata ka vendosur në favor të biznesmenit italian duke i dhënë atij të drejtë të konfiskojë paratë që mbahen të bllokuara që prej 1 dhjetorit të vitit 2020. Sipas dokumentave zyrtar rezulton se vetëm për vitin 2021 Eurocontrol ka derdhur 18.7 milionë euro në llogarinë e bllokuar të Albcontrolit.

Kjo sekuestro do të vazhdojë për sa kohë që drejtësia shqiptare nuk e ndalon dot me vendim gjykate, i cili nuk ka marrë formë të prerë, e deri atëherë biznesmeni italian do i ketë rrafshuar taksat e shqiptarëve duke marrë parasysh vonesat e gjyqeve të apelit. Drejtësia shqiptare si miu, Bechetti si ariu.

Kjo do të thotë se hapësira ajrore e Shqipërisë do të punojë vetëm për Francesco Becchettin, ndërsa qytetarët shqiptarë do të paguajnë nga taksat e tyre miliona euro të tjera për të financuar Albcontrolin dhe shërbimin e navigimit ajror në Shqipëri, pasi të ardhurat nga tarifa e hapësirës ajrore janë burimi i vetëm i financimit për Albcontrol./Tellalli.al