HomeAktualitet

Pas 6 muajsh jashtë sallës së parlamentit Arben Ahmetaj humb sot mandatin e deputetit! Ja kush janë dy emrat që mund të zëvendësojnë në Kuvend

Pas 6 muajsh jashtë sallës së parlamentit Arben Ahmetaj humb sot mandatin e deputetit! Ja kush janë dy emrat që mund të zëvendësojnë në Kuvend

Pas gjashtë muajsh në arrati dhe në kërkim ndërkombëtar lidhur me dosjen e incineratorit, sot më 6 janar, ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj i ‘digjet’ mandati i deputetit.

Siç e parashikon Kushtetuta, Ahmetajt i ndërpritet menjëherë mandati i deputetit pas 6 muajsh mungese në Kuvend dhe një tjetër përfaqësues do të radhitet krahë socialistëve.

Pas pushimeve të fundvitit, Kuvendi do të duhet të konstatojë pavlefshmërinë e mandatit dhe të njoftojë KQZ-në me vakancën, ndërsa institucioni i zgjedhjeve të bëjë zëvendësimin sipas rezultateve të zgjedhjeve të 2021 në qarkun e Tiranës, aty ku Ahmetaj u zgjodh deputet me 11.287, duke u renditur në top-listën e 5 më të votuarve të PS në këtë qark.

Sipas renditjes së kandidatëve të PS-së për qarkun Tiranë, mandatin e Ahmetaj do duhet ta marrë Dallëndyshe Bici, e cila nga vota preferenciale fitoi 4977 vota dhe u rendit e 21-ta në listën e kandidatëve të PS për Tiranën.

Megjithatë, ka zëra se Bici aktualisht drejtoreshë e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, pritet të mos e pranojë mandatin, kështu automatikisht do i kalojë juristit Plarent Ndreca, i cili ka siguruar në zgjedhjet e vitit 2021, 4008 vota në Tiranë.

Grupi parlamentar i socialistëve nuk do të jetë i vetmi që do të rikthehet në Kuvend me ndryshime. Pjesës më të madhe të opozitës pritet t’i mungojë lideri i saj, Sali Berisha, për shkak të arrestit në shtëpi, e nëse kjo masë zgjat mbi 6 muaj Berishës do i hiqet mandati i deputetit edhe pa përfunduar në burg.