HomeAktualitet

Hapet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Rama: Element sigurie për Ballkanin e kërcënuar

Hapet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, Rama: Element sigurie për Ballkanin e kërcënuar

Shqipëria rihap sot bazën ajrore të Kuçovës. Në ceremoninë e përurimit marrin pjesë kryeministri Edi Rama, presidenti Begaj, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e diplomatë dhe përfaqësues të aleancës së NATO-s

Baza ‘një aset për rajonin’ është një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri.

“Helikopterët Black Hawk e dronët Bajraktarë janë në gadishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë që do të shërbejë si bazë ajrore taktike të NATO-s” tha ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

I deleguari i SHBA-se, David Wisner e konsideroi “gur kilometrik për sigurinë e rajonit”.

Kryeministri Edi Rama e quajti një tjetër element sigurie në Ballkanin Perëndimor që ‘kërcënohet jo pak nga Rusia”

“Kjo bazë e re taktike ajrore NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza ajrore detare e NATO-s në Porto Romano, gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n e jemi shumë besimplotë se shpejt do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e aleancës”

Pak ditë më parë u montuan edhe 3 dronët e armatosur ‘Bayraktar’, të blerë në Turqi.

Rindërtimi për bazën ajrore të Ku֛çovës nisi në janar të vitit 2022. Ish baza e epokës komuniste e ndërtuar me punë vullnetare në vitet 1950, shtatë dekada më pas do i shërbejë operacioneve të Aleancës Atlantike.

Vendimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore u njoftua në verë të 2018-s.

Për këtë bazë nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare.