HomeNostalgji

VIDEO/ In Memoriam: 11 vite nga ikja tragjike e Sokol Olldashit

VIDEO/ In Memoriam: 11 vite nga ikja tragjike e Sokol Olldashit

Një muaj para se të mbushte 41 vjeç, 11 vite më parë, Sokol Olldashi humbi jetën në një aksident rrugor.

Rrugëtimi tij politik u ndoq vijimisht nga prozhektorët mediatikë dhe kundërshtarët politikë për shkak të modelit që ofroi, sikundër për faktin se i ngjiti shkallët e karrierës hap pas hapi, nga anëtar i thjeshtë i PD-së, kryetar i Forumit Rinor, deputet dhe ministër.

Me eksperiencën e gazetarit, mision që e ushtroi deri në vitin 2002, i ndjeri, diti të përcjellë tek publiku mesazhet e tij politike dhe staturën e një politikani të veçantë të së Djathtës dhe jo vetëm.

Sfida dhe maturia e drejtimit të komisionit hetimor parlamentar për ish-kryebashkiakun e Tiranës tani kryeministër, Edi Rama, ishte një moment që tregoi se ardhmëria e tij politike kishte projeksione të larta.

Me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, në vitin 2005, Olldashit iu besua drejtimi i Ministrisë së Brendshme.

Karriera e tij do të merrte tjetër kah me pjesëmarrjen në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, në vendoret 2007.

Edhe pse e humbi garën me rivalin Rama, e vlerësoi procesin si shënjues për rritjen e tij politike, por edhe shprehje e një kulture të re zgjedhore, të cilën do ta vijonte si ministër i Transportit.

Me humbjen e Partisë Demokratike në parlamentaret 2013, kryetari Sali Berisha dha dorëheqjen. Sokol Olldashi vendosi të garojë për postin e kryetarit të kësaj force politike përballë Lulzim Bashës. Olldashi e kritikoi procesin, prej të cilit doli fitues rivali i tij.

Si deputet i Partisë Demokratike, aulën e Parlamentit e shfrytëzoi për t‘i dhënë zë fenomeneve shqetësuese, si shitblerja e votës.

Fjalimi i vjeshtës 2013, i cili konsiderohet si më i spikaturi i Sokol Olldashit, ishte ndër të fundit që ai i la politikës shqiptare, për shkak se ndërroi jetë në një aksident tragjik pak muaj pas asaj seance plenare, mbrëmjen e 20 nëntorit 2013.

Për familjarët, Olldashi është njeriu i pazëvendësueshëm, por e njëjta gjë vlen edhe për familjen e tij politike. Demokratët që e njohën thonë se ishte një guidë mes gazetarisë e politikës dhe se mungesa i ndihet jo vetëm për angazhimin e tij politik dhe publik, por edhe tek bisedat e përditshme me ta, për çështje përtej politikës së ditës, për poezinë apo muzikën, pasionet e tij të hershme.