HomeKronikeSport

Koço Kokëdhima shfaqet në Fier si huligan

Koço Kokëdhima shfaqet në Fier si huligan

Një incident i pazakontë ka ndodhur sot (26 mars) gjatë ndeshjes Apolonia-Gramshi, e vlefshme për kampionatin e femrave dhe e luajtur në Fier.

Presidenti i Klubit Sportiv Apolonia për Femra, Koço Kokëdhima, ka hyrë në fushë gjatë lojës duke kërcënuar dhe shtyrë fizikisht gjyqtarin e takimit Dorjan Melataj.

Për shkak të situatës dhe tensioneve të krijuara, takimi është ndërprerë për 25 minuta, për të rinisur më pas.

Report TV ka siguruar pamjet e këtij incidenti, ku dallohet qartë Kokëdhima dhe zyrtarë të ekipit teksa ‘pushtojnë’ fushën e lojës dhe sulmojnë gjyqtarin.

Burime nga klubi i Gramshit e quajtën shkelje të rregullores rinisjen e takimit dhe sipas tyre, i ndodhur nën presion gjyqtari e ka rikthyer takimin që duhet të ishte ndërprerë përfundimisht dhe të deklarohej i tillë në FSHF, ku më tej të merreshin ehde masat disiplinore dhe administrative.

Pas vijimit të lojës, takimi ka përfunduar 1-0 në favor të Apolonisë së Fierit. Madje në fund është hedhur edhe një foto festive në llogarinë në rrjetin social Facebook nga klubi sportiv, ku vajzat e ekipit festojnë triumfin polemizues.

Nuk dihet ene shkaku përse ndeshja u tensionua, teksa priten edhe reagimet zyrtare dhe ankesat nga ekipi i Gramshit.

Për momentin nuk ka asnjë reagim nga klubi i Apolonisë, por as nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Burime nga klubi i Gramshit pretendojnë se sipas rregullores, takimi duhet të ishte ndërprerë përfundimisht.

Gjithashtu ata pretendojnë se trajneri, zyrtarë dhe presidenti i Apolonisë ofenduan, shtynë dhe goditën gjyqtarin e ndeshjes, teksa më pas i bënë edhe presion që të riniste takimin.