HomeAktualitetDosja X

VIDEO/ Bllokuan makinën me pretendimin se po bliheshin vota, Policia çon në SPAK Xhemal Gjunkshin dhe 3 të tjerë

VIDEO/ Bllokuan makinën me pretendimin se po bliheshin vota, Policia çon në SPAK Xhemal Gjunkshin dhe 3 të tjerë

Policia e Dibrës ka dërguar për procedim në SPAK kandidatin për deputet të Partisë Demokratike në këtë qark për zgjedhjet e 11 majit, Xhemal Gjunkshi dhe 3 persona të tjerë, pasi bllokuan një makinë mbrëmjen e djeshme në Maqellarë, nën dyshimin se po bliheshin vota.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:15 të mbrëmjes së djeshme, teksa vetë Gjunkshi ka telefonuar Policinë për makinën që kishin bllokuar nën dyshimin e blerjes së votave, teksa brenda saj ndodheshin dy persona.

Uniformat blu nisën menjëherë hetimet, teksa kanë konstatuar se kishte një veprim antiligjor nga mbështetësit dhe përfaqësuesit e PD-së, me anë të vetëgjyqësisë.

Gjithashtu ata referuan në bashkëpunim edhe me SPAK, materiale për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.

Njoftimi i Policisë Dibër:

Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.

Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.

Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç.