HomeSport

Europiani U17/ Eliminohen Anglia e Çekia, përcaktohen dy çiftet gjysmëfinaliste

Europiani U17/ Eliminohen Anglia e Çekia, përcaktohen dy çiftet gjysmëfinaliste

U luajtën mbrëmjen e sotme dy duelet e fundit të Grupit B, në Europianin e 17-vjeçarëve, që prodhuan plot 9 gola.

Italia mundi Belgjikën me përmbysje 2-1 dhe u kualifikua si e para e Grupit B. Edhe belgët kalojnë vetëm falë golaverazhit, pasi Anglia fitoi 4-2 me Çekinë. Në gjysmëfinale, Belgjika sfidon Francën, Italia do të ndeshet me Portugalinë.

Në “Niko Dovana” të Durrësit, Belgjika shkoi në pushim si fituese e grupit teksa mundte Italinë e kualifikuar me golin e minutës së 12-të, por në të dytën Italia u përgjigj dy herë me Inacion.

Fillimisht në minutën e 62-të, e më pas në të 78-tën, me goditjen e saktë nga pika e penalltisë. Italia fiton ndeshjen dhe e mbyll e para në grup, e ndjekur pikërisht nga Belgjika, që mbijetoi falë dy golave të Çekisë.

Anglia nuk diti ta shfrytëzonte dhuratën që i bëri Italia duke mundur Belgjikën, edhe pse e mbylli në epërsi 4-0 pjesën e parë në “Arena Egnatia” të Rrogozhinës.

Në pjesën e dytë, çekët shkurtuan në 59-të e më pas në të 89-tën shënuan golin fatal për Anglinë, që fiton 4-2 dhe eliminohet për shkak të golaverazhit.

Dy gjysmëfinalet do të luhen më 29 qershor, kur Franca do të luajë kundër Belgjikës, ndërsa Italia dhe Portugalia do të përsërisin finalen e vitit të kaluar.