Muli shpjegon pse Doktori nuk bëri dot asnjë takim dypalësh në Strasburg

Muli shpjegon pse Doktori nuk bëri dot asnjë takim dypalësh në Strasburg

Lelo, që ishte i interesuar për ndonjë lajm shtesë, po diskutonte me Mulin se si ta shpjegonin gazetarëve këtë çështjen e mos­takimit të Doktorit nga asnjë personalitet drejtues i Këshillit të Evropës.

– Është çështja te prezantimi, – tha Muli. – Meqë ai hyri në sallë me baxhën e Albanës, kjo i shërbente vetëm për t’u gënjyer rojet e sigurisë, ku prezantohej Vokshi Albana dhe ata mendonin se ishte fjala për Albania.

Aty i ndodhi një incident, – tha Muli. – Një nga këta drejtueset e Këshillit të Evropës pa Doktorin dhe iu duk fytyrë e njohur.

Pyeti dikë:
– Nga është ky zotëria?
– Nga Shqipëria, – i thanë.
– Ky është ai që shanë këtë ligjin kundër LGBT?
– Po ky, – i thanë. – Ka këto pesë vitet e fundit që është kundër.

Ajo u afrua dhe pa emrin: Vokshi Albana…

– E kuptova, – tha zonja. – S’ka faj. Paska bërë operacion për ndryshim gjinie dhe ka dështuar. Edhe pse qenka bërë grua, unë e mbaj mend që është fiks siç ka qenë para dhjetë vitesh. Me siguri që është tërbuar që ka harxhuar paratë kot, ndaj është kundër. Eksperiencat personale janë të dhimbshme.

– Ah, nuk e dija, – i tha bashkëfolësi. – Unë mendova se është Sali Berisha. Me sa di unë, të gjithë deputetët e tij duan të bëhen si ai, dhe në pamje, vetëm ky dashka të bëhet si Albana.