Portieri i Cagliarit rrëfen rrugëtimin e vështirë drejt Serie A, largimin nga Napoli i Contes dhe ambiciet për kombëtaren italiane. Megjithatë, nuk e përjashton një ftesë nga Shqipëria, falë shtetësisë që ka përfituar përmes partneres së tij.
Elia Caprile po kalon një moment të rëndësishëm në karrierën e tij. Portieri 23-vjeçar i Cagliarit është shndërruar në një nga emrat më interesantë të futbollit italian, ndërsa për herë të parë ka folur hapur edhe për mundësinë e një aventure me kombëtaren shqiptare.
Në një intervistë për Corriere della Sera, ai ka rrëfyer vështirësitë e fillimit të karrierës, vendimin për t’u larguar nga Napoli dhe objektivat e tij në nivel ndërkombëtar.
Nga mendimet për t’u dorëzuar te ëndrra e Serie A
Rruga e Capriles drejt majave të futbollit nuk ka qenë aspak e lehtë. Në adoleshencë, portieri është përballur me paragjykime nga disa prej trajnerëve të tij, të cilët e konsideronin shumë të shkurtër dhe mbipeshë për të pasur një të ardhme në këtë pozicion.

