HomeHumor

Muli frymëzohet nga gjesti i Monikës për t’u mbrojtur nga SPAK

Muli frymëzohet nga gjesti i Monikës për t’u mbrojtur nga SPAK

Lajmi se Monika do të bëhet opinioniste në Big Brother e tronditi Mulin. Në fillim nuk u besonte syve kur pa foton e Monikës aq të bukur, pastaj nuk e besonte dot se si ajo do ishte opinioniste në atë emision që transmetohet në një TV që Doktori u ka dhënë urdhër demokratëve të mos e shikojnë.

Pastaj, kur po e diskutonte me Lelon, ndryshoi disi mendim.
– Për mua ka bërë një akt të zgjuar, tha Lelo. Përveçse i ka dhënë shans vetes të shkëputet nga debati politik, ka edhe një mundësi të relaksohet dhe të mos jetojë me thashethemet për gjyqin e saj dhe të burrit.

– Por kam frikë se është diçka jo serioze dhe na dëmton si opozitë, tha Muli.

– Puna është se ajo do flasë në një emision që ka 1 milion ndjekës, tha Lelo, ne presim të flasim në një miting me 1 mijë demokratë. Është diferencë e madhe.

– Po ata 1 milion nuk janë demokratë, tha Muli.

– Po edhe ata 1 mijë në shesh që janë demokratë, ç’i do nëse 1 milion të tjerë ndjekin Monikën?

– Po pse ta ketë bërë vallë? tha Muli. Paguhet shtrenjtë aty?

– Nuk mendoj se është në krizë për lekë, tha Lelo. Ka aq e kaq lekë ajo.

– Po përse ka shkuar, apo do t’i shtojë ndjekësit në rrjete sociale se ia ka vjedhur Tedi Blushi Instagramin e partisë?

– Ndoshta, tha Lelo. Ata i shtohen, por nuk janë të gjithë opozitarë.

– Mos e ka bërë që, nëse e arreston SPAK-u, të quhet se punon në media? tha Muli.

– Kjo po, tha Lelo. Është i vetmi rast që nëse e arrestojnë, ngrihet gjithë Shqipëria në këmbë dhe nuk lejon të preket Big Brother-i.

– Sa mirë i ka shkuar mendja, tha Muli. Sikur të kisha hyrë edhe unë?

– Puna është të fitosh, Muli, se për të hyrë hyjmë edhe në zgjedhje ne, tha Lelo, po humbasim.