HomeBota

Masakra në Iran! Trump nxit protestuesit: Ndihma është duke ardhur, merrni kontrollin! Zemërimi i Rusisë dhe Kinës

Masakra në Iran! Trump nxit protestuesit: Ndihma është duke ardhur, merrni kontrollin! Zemërimi i Rusisë dhe Kinës

Donald Trump deklaron se synon të mbështesë protestuesit në Iran. “E vetmja gjë që u them është: ndihma po vjen”, deklaroi presidenti amerikan duke folur në Detroit në Economic Club, ku megjithatë u përqendrua kryesisht te politika dhe ekonomia, te planet e tij për amerikanët, edhe pse preku edhe tema të politikës së jashtme, përfshirë Venezuelën. Mesazhi i tij për Iranin i publikuar në mëngjes në rrjetin e tij social Truth ka shtuar pritshmëritë për një sulm të mundshëm amerikan kundër ajatollahëve.

“Patriotë iranianë, vazhdoni të protestoni kundër institucioneve tuaja – shkroi presidenti amerikan –. Mbani shënim emrat e vrasësve dhe të atyre që kryejnë abuzime. Ata do të paguajnë një çmim të lartë. Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarë iranianë derisa të ndalet vrasja e pakuptimtë e protestuesve. Ndihma po vjen.”

Në fund ai shtoi: “MIGA” (Make Iran Great Again – Ta bëjmë Iranin sërish të madh).

“Do ta merrni vesh

I pyetur nga Reuters se çfarë do të thotë “ndihma po vjen”, ai u përgjigj: “Do ta merrni vesh”, duke theksuar se amerikanët duhet të largohen nga Irani. Fjalë të ngjashme me ato që ai kishte thënë për Venezuelën në javët para kapjes së Maduros.

Zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, deklaroi gjatë një fluturimi se presidenti nuk kishte marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të zhvilluar dje në mëngjes për të vlerësuar opsionet për t’iu përgjigjur protestave, megjithëse pritej që ai të merrte më vonë një raport informues pas kthimit nga Detroiti.

Duke folur në Detroit, Trump kujtoi se kishte vendosur dy ditë më parë tarifa doganore (25%), të cilat hynë në fuqi dje, ndaj “kujtdo që bën biznes me Iranin”.

Takimi me princin

Faqja Axios zbuloi se këshilltari i Trumpit, Steve Witkoff, kishte zhvilluar fshehurazi një takim me princin iranian Reza Pahlavi, djalin e Shahut të rrëzuar në vitin 1979, i cili po pozicionohet si një lider “tranzicioni” në rast se regjimi bie dhe që është shfaqur disa herë në televizion për t’i kërkuar administratës Trump të ndërhyjë në mbështetje të protestave.

Deri javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë nuk dukej se e konsideronte atë si një lider të mundshëm të vendit, por mbeti e befasuar nga fakti që protestuesit kanë filluar të thërrasin emrin e tij. Sipas Axios, diskutimet për opsionet e mundshme të ndërhyrjes në Iran janë ende në një fazë fillestare.

“Nuk jemi ende në fazën e marrjes së një vendimi për një veprim ushtarak”, ka thënë një zyrtar për faqen, duke shtuar se është ende e vështirë të dihet se cili do të jetë vendimi i Trumpit. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka sugjeruar në takime të fundit me dyer të mbyllura se administrata po shqyrton përgjigje “jo kinetike” (pa përdorimin e forcës ushtarake) për të ndihmuar protestuesit.

“Si Reagan”

Senatori republikan nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, i cili në të kaluarën ka mbajtur një kapele të kuqe “Make Iran Great Again”, e ripërdori dje të njëjtin slogan në X në fund të një postimi të gjatë: “Presidenti Trump sigurisht nuk është Obama. Sipas mendimit tim, ai është Reagan kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave jetike të sigurisë kombëtare të Amerikës.”

Graham thotë se “goditja vdekjeprurëse ndaj ajatollahëve do të jetë një kombinim i guximit të jashtëzakonshëm patriotik të protestuesve dhe veprimit vendimtar të presidentit Trump. Protestuesit dalin në rrugë të paarmatosur, duke rrezikuar jetën e tyre, sepse e dinë se kanë mbështetjen e presidentit Trump.”

Senatori shton:

“Asnjë trupë në terren, por një shkatërrim i tmerrshëm, siç ka premtuar, kundër një regjimi që ka kaluar çdo vijë të kuqe. Çfarë kërkoj unë? Shkatërrimin e infrastrukturës që mundëson masakrimin e popullit iranian dhe rrëzimin e liderëve përgjegjës për vrasjet.”

Graham përfundon: “Makthi i gjatë i popullit iranian do të përfundojë së shpejti. Jam shumë krenar për presidentin Trump.”

Reagimi i Rusisë, Kinws dhe i vendeve të BE-së

Klima është e mbushur me tension dhe pasiguri. Rusia i ka quajtur tarifat e reja “një shantazh” dhe kërcënimet amerikane për “sulme të reja ushtarake” i ka cilësuar “absolutisht të papranueshme”, duke folur për “pasoja të tmerrshme” për Lindjen e Mesme.

Italia, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Danimarka, Finlanda, Franca, Spanja, Portugalia dhe Holanda kanë thirrur ambasadorët ose të ngarkuarit me punë. Për kancelarin Merz, këto janë “ditët dhe javët e fundit për regjimin iranian”.

Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, thotë se “nuk është e qartë nëse regjimi do të bjerë apo jo”, ndërsa Ursula von der Leyen flet për sanksione të reja kundër autorëve të represionit. Katari dëshiron të “ndërmjetësojë” mes Iranit dhe SHBA-së. Zëdhënësi i partisë së Erdoganit paralajmëron se “ndërhyrjet nga jashtë do të prodhonin kriza”./Corriere Della Sera