HomeKronikeDiaspora

VIDEO/ ‘Brohorimat e fundit’, trupat e shtatë tifozët të ndjerë të PAOK-ut dërgohen në stadiumin “Toumba”! Mijëra ultras i presin me flakadanë

VIDEO/ ‘Brohorimat e fundit’, trupat e shtatë tifozët të ndjerë të PAOK-ut dërgohen në stadiumin “Toumba”! Mijëra ultras i presin me flakadanë

Aksidenti tragjik i të martës që mori jetët e shtatë tifozëve të PAOK-ut ka zhytur në zi Selanikun. Të enjten në mesditë në Greqi mbërritën dy nga tre tifozët e mbijetuar, ndërsa në orët e pasdites së vonë një avion i forcave të armatosura greke mbërriti në Selanik me shtatë arkëmorte, që mbanin trupat e pajetë të tifozëve që humbën jetën në aksidentin pranë Timisoarës në Rumani.

Që prej mbërritjes në aeroportin ‘Makedonia’, shtatë tifozët e ndjerë u pritën nga mijëra qytetarë dhe tifozë. Në orët e mbrëmjes arkëmortet e shtatë viktimave u dërguan për të bërë një parakalim të fundit në rrugët pranë stadiumit ‘Toumba’ të PAOK-ut, ku ultrasit kryen homazhe duke ndezur flakadanë dhe duke derdhur lot për djemtë e qytetit.

Pamjet emocionuese tregojnë respekt për djemtë që donin të ndiqnin pasionin, por aksidenti tragjik u mori jetën në moshë shumë të re (nga 20 – 30 vjeç).

Aksidenti tragjik

Mesditën e të martës, furgoni i zi me të cilin tifozët e PAOK-ut ishin nisur nga Selaniku me destinacion Lyonin në Francë, u përplas “kokë më kokë” me një kamion në rajonin e Timis në Rumani, duke lënë pas shtatë viktima, tifozë të PAOK-ut. Mes tyre edhe shqiptarin Vasil Pilo. Mes të lënduarve është edhe një tifoz me origjinë shqiptare, Genci Sadiku.