Edhe Bashkimi Europian ka reaguar për moskonfirmimin e rezultateve të Listës Serbe në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Brukseli ka shprehur “shqetësim serioz” dhe ka kërkuar që të depolitizohet puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“BE shpreh shqetësim serioz për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e rezultatit final për Listën Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare.”
Brukseli përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit vëzhgues të zgjedhjeve dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën.
Bashkimi Europian ka përsëritur edhe thirrjen për legjislaturën e ardhshme të Kosovës që të përshpejtojë reformat e lidhura me BE-në dhe të ratifikojë Planin e Rritjes.
“Është me rëndësi që të gjithë deputetët e zgjedhur të marrin ulëset e tyre në Kuvendin e ri. Legjislatura e ardhshme e Kosovës duhet të përshpejtojë reformat e lidhura me BE-në dhe të ratifikojë marrëveshjet nga Plani i Rritjes.”
Një ditë më parë, vendimin e anëtarëvë të lëvizjes Vetevendosje në KQZ për të mos votuar konfirmimin e 9 deputeve nga lista Serbe që kanë fituar një vend në Kuvendin e ri e ka kritikuar ambasada amerikane në Prishtinë duke e konsideruar një vendim në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre minim të partneritetit të Prishtinës Zyrtare me Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Edhe misioni vëzhgues i OSBE-së e ka quajtur këtë akt cënim të demokracisë.
Lista serbe është ankuar në panelin për ankesa dhe parashtresa, ndërsa ky institucion ka afat katër ditë nga dorëzimi i kërkesës për të marrë një vendim, i cili po ashtu mund të apelohet edhe në gjykatën supreme, si hallka e fundit e këtij procesi, për ti hapur rrugë më pas certifikimit zyrtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

