Sali Berisha, ka pranuar se u ka kërkuar një grupi gjimnazistësh të organizonin bojkotin e mësimit për t’iu bashkuar protestave, një deklaratë që e lidh edhe më drejtpërdrejt opozitën me përpjekjet për mobilizimin e të rinjve në tubime.
I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, Berisha tregoi se sapo do të nisnin gjimnazet kishte zhvilluar një takim me të rinj, të cilëve u kishte kërkuar të mendonin mënyrën se si mund të organizohej bojkoti i mësimit.
Sipas tij, përgjigjja e gjimnazistëve kishte qenë refuzuese.
“Unë, sapo do të fillonin gjimnazet, bëra një takim me gjimnazistë dhe u kërkova atyre si të organizohej bojkoti i mësimeve në gjimnaz, që të shkonin në protestë. Gjimnazistët çfarë më thanë: ‘Doktor, ne aty nuk shkojmë’. ‘Dhe pse nuk shkoni?’, u thashë unë. ‘Sepse na neverisin megafonat e tyre, nuk mund të dëgjojmë fjalimet e tyre të neveritshme’”, rrëfeu Berisha.
Deklarata vjen në një kohë kur Partia Demokratike është përpjekur të afrohet me protestat dhe mobilizimet e të rinjve, ndërsa vetë pjesëmarrës në këto protesta kanë shprehur distancim nga partitë politike dhe nga figurat tradicionale të opozitës.
I pyetur nëse bëhej fjalë për të rinj mbështetës të PD-së, Berisha tha se ata nuk duheshin konsideruar të indoktrinuar dhe shtoi se kishin qenë edhe në bulevard, por ishin larguar për shkak të pakënaqësisë me mënyrën si zhvilloheshin protestat.
“Këta ishin të rinj dhe mos i merr kurrë të rinjtë si të indoktrinuar. Këta i kishin rënë bulevardit pash më pash, kryq e tërthor, por këta ishin larguar nga neveria”, u shpreh Berisha.
Në thelb, rrëfimi i kreut të PD-së konfirmon se opozita ka tentuar të nxisë pjesëmarrjen e gjimnazistëve përmes bojkotit të mësimit, por se vetë të rinjtë të cilëve ai u është drejtuar kanë refuzuar t’i bashkohen protestës.

