Trump pas takimit me të dërguarin e Putin: Lufta në Ukrainë po i afrohet fundit, marrëveshje që mund të ndikojë në të gjithë Evropën

Trump pas takimit me të dërguarin e Putin: Lufta në Ukrainë po i afrohet fundit, marrëveshje që mund të ndikojë në të gjithë Evropën

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një marrëveshje të gjerë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila sipas tij mund të shtrihet përtej konfliktit mes Moskës dhe Kievit dhe të përfshijë të gjithë Evropën.

Deklarata e Trump vjen në një moment të rëndësishëm për përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndërsa në Shtëpinë e Bardhë është zhvilluar një takim me Kirill Dmitriev, të dërguarin special të presidentit rus Vladimir Putin.

Trump konfirmoi se takimi u zhvillua të enjten, më 5 nëntor, në Shtëpinë e Bardhë, duke shprehur optimizëm se konflikti mund të jetë pranë përfundimit. Ai bëri të ditur gjithashtu se nuk zhvilloi një takim të veçantë me zyrtarët ukrainas, të cilët ndodheshin në rezidencën presidenciale po atë ditë për një aktivitet të organizuar nga Melania Trump.

Duke folur për gazetarët, presidenti amerikan deklaroi se negociatat mund të prodhojnë një marrëveshje me ndikim shumë më të gjerë në sigurinë ndërkombëtare.

“Do të ketë një marrëveshje. Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe do të përfshijë më shumë sesa vetëm Ukrainën. Madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Evropën. Do të jetë një marrëveshje e madhe, shumë e mirë dhe të gjithë do të jenë të emocionuar”, u shpreh Trump.

Ndërkohë, përfaqësues amerikanë kanë zhvilluar kontakte paralele me zyrtarë ukrainas dhe evropianë në selinë e NATO-s në Bruksel. Në fokus të diskutimeve kanë qenë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe struktura e ardhshme e sigurisë në kontinentin evropian.

Një zhvillim i rëndësishëm pritet javën e ardhshme, kur delegacione nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina pritet të takohen në Abu Dhabi për bisedimet e para trepalëshe për paqe që nga shkurti.