HomeKronikeDiaspora

Tentuan të grabisin shtëpinë e lojtarit të Premier Ligës, burg për 2 shqiptarët

Tentuan të grabisin shtëpinë e lojtarit të Premier Ligës, burg për 2 shqiptarët

Dy hajdutë shqiptarë janë burgosur me nga 4 vjet e 8 muaj secili pasi grabitën 7 prona, përfshirë edhe shtëpinë e një ish-futbollisti të Aston Villa dhe Birmingham City. Sipas mediave britanike Denis Puka, 28 vjeç dhe Erisjan Laska, 29 vjeç së bashku me një person të tretë të paidentifikuar, kryen një seri grabitjesh për 3 net rresht qershorin e kaluar.

Gjyqtari Steven Everett e quajti operacionin e tyre “të sofistikuar dhe të planifikuar mirë” pasi ata rezervuan një dhomë me Airbnb në Warrington dhe lëvizën jashtë zonës për ta përdorur atë si bazë nga e cila kryenin veprat e tyre penale.

Makina e tyre ishte një Seat Leon e transportuar nga Sheffield, e cila ishte i pajisur me 3 targa të falsifikuara gjatë bastisjeve.

Të pandehurit ishin pajisur me maska, mjete dhe radio dore. Shtëpia e ish-lojtarit të Aston Villa, Scott Hogan i cili tani luan si sulmuesi i Milton Keynes Dons ishte ndër pronat e përzgjedhura midis 5 dhe 7 qershorit.

Hogan, 33 vjeç, u zgjua nga drita e një elektriku që ndriçonte nga dritarja e dhomës së tij të gjumit rreth orës 23:30 të mbrëmjes më 7 qershor. Prokurorja Nardeen Nemat tha se gruaja e atëhershme shtatzënë e futbollistit dhe vajza e tij e vogël ishin gjithashtu në shtëpi në atë moment.

“Të pandehurit u ngjitën mbi gardh dhe hynë në kopsht. Një i pandehur u ngjit mbi shpatullën e një tjetri dhe u ngjit në rrjetën e shtëpisë për të arritur dritaren e dhomës së gjumit. Hogan ishte në dhomën e tij të gjumit kur u zgjua nga një dritë elektriku që ndriçonte nga dritarja e dhomës së tij të gjumit. Ai pa jashtë ku gjendeshin 3 meshkuj në tokë. Hogan vrapoi pas tyre, por ata ikën me vrap” – tha prokurorja.

Asgjë nuk u vodh, tha prokurorja, por që atëherë Hogan kishte instaluar një sistem të ri sigurie për të mbrojtur familjen e tij të re. Në një deklaratë personale të lexuar në gjykatë, Hogan tha se incidenti kishte “çuar në shumë net pa gjumë plot stres dhe ankth”.

“Nuk mund ta shpreh plotësisht me fjalë se çfarë efekti dramatik ka pasur kjo tek unë dhe familja ime” – thoshte ai.

Dy banesa të tjera ishin vënë në shënjestër atë mbrëmje. Në njërën prej tyre ata mundën të hynin duke plaçkitur çdo dhomë përveç asaj të gjumit ku flinin viktimat e tyre.

Të pandehurit sulmuan prona në Grappenhall, Knutsford dhe Northwich natën pasardhëse. Ata përsëri u larguan duarbosh nga dy bastisjet e para, por vodhën një orë Breitling dhe një orë Rolex me vlerë totale 9,000 £ nga një rezidencë në Northwich pasi pronarët e shtëpisë ishin me pushime.

Të pandehurit u arrestuan pasi makina e tyre Seat Leon u gjet në një kompleks banimi një javë më vonë me sende të ndryshme brenda, duke përfshirë telefona celularë, veshje të të pandehurve, mjete dhe targa të rreme regjistrimi.

Përpara dhënies së dënimit gjykatësi Everett tha: “Ajo që është e qartë është se ky ishte një komplot i sofistikuar dhe i planifikuar mirë. Secili prej jush duhet ta kuptojë shkatërrimin e madh që shkaktuat me veprimet tuaja egoiste dhe të neveritshme. Hogan u zgjua nga një elektrik në fytyrë. Çfarë përvoje e frikshme dhe e tmerrshme duhet të ketë qenë”.

Ai vuri në dukje se deklarata e Laskës para vendimit tregonte se ai i “minimizonte veprat e tij penale”.

“Thjesht do t’i fajësosh të gjithë të tjerët. Jam mjaft i sigurt që ndihesh i ofenduar. Është koha të zgjohesh dhe të kuptosh traumën e madhe të shkaktuar nga ajo që bëre” – tha gjykatësi.

Gjykata dëgjoi se Laska, i cili ka një dënim të mëparshëm për dy shkelje të vogla të drejtimit të makinës është baba i dy fëmijëve të vegjël, i martuar me një grua britanike dhe që kishte bërë “një kërkesë për Ministrinë e Brendshme në pritje për momentin”.

Avoakti Phil Astbury që mbrojti Pukën, tha se klientit të tij i është dhënë leje e pacaktuar për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ai nuk ka dënime të mëparshme dhe thuhet se vjen nga një familje shumë e mirë. Nëna e tij është e shokuar nga ajo që ai ka bërë. Ai është një djalë i ri me karakter të mirë pozitiv dhe me një karrierë të mirë pune që kontribuon në komunitet në çdo mënyrë” – tha avokati.

Laska dhe Puka u deklaruan fajtorë në një seancë të mëparshme dëgjimore për 7 akuza për kryerjen e vjedhjeve me thyerje.