HomeHumor

Muli përgatit lajmet për vizitën e Ramës në Shtëpinë e Bardhë

Muli përgatit lajmet për vizitën e Ramës në Shtëpinë e Bardhë

Pas nisjes së Ramës drejt SHBA, Muli thirri Lelon të bënin gati lajmet që do shpërndajnë nesër për vizitën e Ramës në Uashington.

— Duhet të kemi gati së paku nja tre lajme, tha Muli, që ta zhvlerësojmë vizitën.

— Lajmin e parë e kemi kollaj, tha Muli. Nxjerrim disa nga këta të PD në aeroport, filmojnë veten me celularë dhe thërrasin “Rama në burg me McGonigal-in”, “FBI, eja arrestoje” etj. Nuk ka rëndësi e shikojnë apo jo Ramën; rëndësi ka të filmojnë veten dhe ta shikojnë njerëzit këtu.

— Kjo është shumë e mirë, tha Lelo.

— E dyta, mendoj që ajo vajza që ka Irfani dhe që ka paralajmëruar arrestin e tij të dalë nesër e të thotë: “Në këtë moment që flasim, Ramën e ka thirrur FBI dhe po e merr në pyetje për McGonigal-in.” Madje mund të shtojë se ai ka tentuar të flirtojë me të dashurën e McGonigal-it që ajo të mos dëshmojë kundër, por ajo është treguar e vendosur që do ta shkatërrojë.

— Po si ta vërtetojmë që kjo po ndodh? tha Muli.

— E ka kollaj ajo. Thotë: “Po qe se nuk ndodh, le ta përgënjeshtrojë Rama.” Ai s’e përgënjeshtron dhe ja ku doli edhe kjo.

— Ja, u bënë dy, tha Muli. Po e treta?

— E treta: një lajm nga Shtëpia e Bardhë që mbledhja e Bordit të Paqes fillon me Albania ngaqë është me A dhe jo për shkak të Edi Ramës. Madje Trump-i është nxehur dhe ka thënë: “Pse keni dy emra, edhe Albania edhe Shqipëri, si ata personat në kërkim? Mbani vetëm Shqipëri dhe dilni në fund.”

— Po pastaj? pyeti Muli.

— Pastaj ka ndërhyrë Vjosa Osmani dhe i është lutur. I ka thënë: “Bëje për mua, mos e çoni në fund Shqipërinë, se e dua më shumë se Kosovën.”

— Dhe ai e ka falur?

— Po. Aty pastaj do shtojmë që e bëri se iu kujtua që Rama e kishte tallur.

Muli u ndriçua në fytyrë.

— Shumë mirë. Me këto e shkatërrojmë komplet. Më 20 ai merr fund. Më mirë të mos kthehet fare nga SHBA.