HomeAktualitetDosja X

Rekordet kriminale të familjes së deputetes së PD-së Elda Hoti: Vëllai dhe burri narkotrafikant, babai me disa emra tutor e trafikant

Rekordet kriminale të familjes së deputetes së PD-së Elda Hoti: Vëllai dhe burri narkotrafikant, babai me disa emra tutor e trafikant

Vëllai i deputetes së PD Elda Hoti është arrestuar në Romë. Markelian Hoti u kap në zonën Ponte di Nona, në periferinë lindore të kryeqytetit italian, ku ishte fshehur në një hotel bashkë me të dashurën.

Ai ishte shpallur në kërkim pasi akuzohet se kishte rol kyç në një organizatë që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Markelian Hoti është arrestuar dhe në prill të vitit 2002 nga policia shqiptare për kanosje me armë zjarri dhe armëmbajtje pa leje. Hoti ishte denoncuar për tentativë vrasje. Por, pas arrestimit u lirua shumë shpejt.

Përveç vëllait, edhe bashkëshorti i deputetes demokrate është një emër i njohur në botën e krimit. Ladi Ndoja nga Rrësheni, bashkëshorti i Elda Hoti, u arrestua në vitin 2016 në flagrancë në Venecia të Italisë, pasi e kishte kthyer shtëpinë në bazë droge. Policia i gjeti në banesë 50 kg marijuanë dhe 24 karta identiteti të vjedhura.

Zonja Hoti ka bërë më pas një ndarje të dyshuar fiktive nga Ladi Ndoja, ndoshta me qëllim që kjo “njollë” të mos prekë karrierën e saj politike.

Ndërkaq, në vitin 2021, Llesh Nikolli iu drejtua KQZ-së me ankesë, duke akuzuar deputeten Elda Hoti, se ka fshehur ndryshimin e emrit të babai të saj nga David në Artan Hoti, për shkak të të shkuarës së tij kriminale. Deputetja Hoti i mohoi akuzat por babai i saj me emrat e ndryshuar, është i përfolur si tutor në Itali dhe me një të shkuar të errët kriminale.

Në formularin e dekriminalizimit, Elda Hoti ka fshehur ndryshimin e emrit të babait të saj, nga David Hoti në Artan Hoti. Historinë kriminale të babait të saj, Davidit (sot Artan), dhe xhaxhallarëve të deputetes, Valentin dhe Alfred.

Babai i deputetes përflitet si tutor në Itali dhe pasi është aksidentuar e i kanë prerë këmbën, kjo nuk e ka penguar të vazhdonte i papenguar “punën” e tij, duke trafikuar femra nga Lezha, Laçi, Miloti dhe Burreli.

Në vitin 2000, në La Spezia të Italisë, babai i saj është dënuar për trafikim qeniesh njerëzore. Të atin e deputetes e kanë dashur të vdekur në Europë; madje kanë tentuar t’i marrin nënën peng, por nuk ia kanë arritur.

Ndërkohë, vëllai i tij, Valentini, ishte tutor në Shqipëri dhe kishte edhe objektin famëkeq “Arbëria” në nyjën e Milotit. Të dy vëllezërit, babai dhe xhaxhai i Elda Hotit, kanë qenë në burg në vitin 1996 për grabitje me armë në Shqipëri.

Kjo është familja e deputetes së Sali Berishës që çirret në Parlament për rendin dhe drejtësinë, por në realitet është pjesë e një familjeje kriminale që ka formën e bandës së organizuar.