Deklarata skandaloze e ministres serbe: Nëse do isha unë në 1998 do e kisha pastruar etnikisht Kosovën! BE dënon deklaratën e saj: Nuk ka vend për retorikë të tillë në Evropë

Deklarata skandaloze e ministres serbe: Nëse do isha unë në 1998 do e kisha pastruar etnikisht Kosovën! BE dënon deklaratën e saj: Nuk ka vend për retorikë të tillë në Evropë

Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka bërë një deklaratë skandaloze që ka shkaktuar reagime të shumta, gjatë një interviste të dhënë dje për median serbe Kurir.

Në një intervistë të gjatë, ministrja në qeverinë e Vuçiçit, tha se, po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

“Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, deklaroi ministrja serbe gjatë intervistëssë dhënë këtë fundjavë.

Gjatë luftës së viteve 1998–1999, forcat serbe kryen masakra, vrasje dhe dëbime masive të popullsisë civile shqiptare në Kosovë.

Mbi një milion shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra civilë u vranë ose u zhdukën.

Deklarata e saj është shpërndarë në rrjetet sociale dhe ka nxitur reagime të ashpra.

Duke folur para gazetarëve në Bruksel, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorika të tilla, pasi bie ndesh me dinjitetin njerëzor.

“Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik. Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, u shpreh Hipper.

Ajo nënvizoi se deklarata të tilla janë gjithashtu në kundërshtim me angazhimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, proces që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi zëdhënësja e Komisionit Evropian.

Deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime të forta edhe në Shqipëri dhe Kosovë, ku është cilësuar si e papranueshme, fyese për viktimat e luftës dhe në kundërshtim me përpjekjet për pajtim dhe stabilitet në rajon.