Gjyqtari Ilir Panda tërhiqet nga trupa gjykuese që do të shqyrtojë në Gjykatën e Lartë kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, për lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi, pas kthimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.
Shorti kishte caktuar relator të çështjes, Ilir Pandën, por gjyqtari ka paraqitur dorëheqjen nga shqyrtimi i çështjes.
Në vend të tij, Report Tv mëson relator është caktuar gjyqtari Sandër Simoni, ndërsa dy anëtarët e tjerë të trupës janë Albana Boksi dhe Sokol Binaj.
Deri në këto momente nuk është caktuar ende një datë për shqyrtimin e kërkesës për zëvendësimin e masës “arrest në burg”, megjithëse Veliaj ka kërkuar përshpejtimin e procedurës, pasi çdo vonesë siç ai theksonte, cenon ushtrimin e mandatit si kryetar bashkie, çështje që kushtetuesja i dedikoi vëmendjen kryesore.
Gjykata Kushtetuese urdhëroi Gjykatën e Lartë që të argumentojë pse qëndrimi në burg i Veliajt ishte proporcional në raport me detyrën e tij si qytetar i parë i Tiranës. Kryebashkiaku i ka kërkuar Gjykatës së Lartë vendimmarrje konkrete e jo rikthim në shkallët e tjera.
Rishqyrtimi i masës arrest me burg për Veliajn do të bëhet në një kohë që Gjykata e Lartë rishikoi një vendim unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e tij. Vendimi, tashmë i zbardhur i plotë, parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative.

