Spekulime të prodhuara në mënyrë kriminale dhe të papërgjegjshme i quan kryeministri Edi Rama lajmet dhe deklaratat mbi një sulm të mundshëm të Iranit mbi vendin tonë. Rama thotë se Shqipëria është vend i NATO-s dhe aleanca do të reagonte njëjtë si për çdo anëtar tjetër të saj.
Zërat se Shqipëria mund të jetë objektiv i një sulmi të mundshëm iranian, kryeministri Edi Rama i quan thashetheme dhe spekulime kriminale e të papërgjegjshme.
“Është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë. Por, ju kujtoj të gjithëve që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani, gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s, qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s”, tha Rama.
Këto spekulime, kryeministri ia faturon kundërshtarëve politikë, që sipas Ramës ushqejnë shpresën e kotë të ngritur mbi lajme të rreme, se qeveria e tij mund të rrëzohet pas një sulmi të Iranit.
“Me gjithë keqardhjen për të keqen, që me siguri nuk e ka aspak problem, nëse do t’i jepej mundësia ta provonte edhe ndonjë sulm mbi Shqipërinë, vetëm e vetëm për të ushqyer shpresën e kotë dhe siç thonë tironsit, ‘ondrrën në beze’, se do të përmbyset i ashtuquajturi ‘regjimi i Edi Ramës’, vijoi më tej kryeministri.
I vetmi rrezik që i vjen vendit tonë thotë Rama, nuk janë sulmet, por pasojat e luftës:
“Edhe ne jemi të prekur në sensin fatmirësisht, jo fizik, por patjetër politikisht, shpirtërisht, njerëzisht nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në një rajon, ku kemi miq të jashtëzakonshëm”, vijoi më tej Rama.
Në këto momente, evidenton shefi i qeverisë, i vetmi shqetësim është siguria e shqiptarëve që ndodhen në vendet e konfliktit.
“Prioritet kryesor është siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në ato vende, përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullatat në rajon janë në kontakt të vazhdueshme qoftë me ne, qoftë me autoritetet vendase, po bëjnë gjithçka për ta monitoruar situatën, për të informuar dhe për të asistuar. Ndërkohë që, çështja kyç e fluturimeve mbetet një sfidë për të gjithë”, shtoi Rama.
Për këtë çështje, me kërkesë të deputetëve të opozitës, kryeministri Edi Rama është thirrur në një seancë dëgjimore edhe në Komisionin e Jashtëm të hënën e 9 marsit.

