HomeDebat

Shqiptarët janë ndarë një herë e mirë me Berishën, e kanë braktisur në rrugë

Shqiptarët janë ndarë një herë e mirë me Berishën, e kanë braktisur në rrugë

Analisti Mustafa Nano, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se shqiptarët e kanë braktisur Berishën, por njerëzit rreth tij kanë krijuar opinionin se Rama nuk rrëzohet nga pushteti me zgjedhje, me qëllimin për të mbajtur Berishën në krye të partisë dhe të opozitës.

“Rama rrëzohet, por nuk është se largimi i Berishës nga PD në mënyrë automatike e sjell në pushtet opozitën. Varet kush vjen, se po erdhi Flamur Noka, ka më pak shanse. Me çfarë shoh aty, e kanë tharë dhe shkretuar mjedisin përreth, dalin grupe amiqësore.

Shkretimi i mjedisit ku këta punojnë më duket i qëllimtë. Ka njerëz që thonë po iku Berisha, PD shkatërrohet dhe me shumë gjasë shkatërrohet. Ka socialistë që thonë se po iku Rama, PS shkatërrohet, plas lufta civile. Janë gjëra që bëjnë sens, pasi këta e kanë tharë çdo gjë. Nëse ikin këta, secili do të krijojë parcelën e vet.

Lulzim Basha vetëm për pak nuk erdhi në pushtet. Mbaj mend se e nisi nga një start i dobët dhe u rrit. Rama mundet që çke me të, por kjo është narrativë që kanë krijuar këta njerëz që duan të mbajnë Berishën me pahir. Mendoj se shqiptarët janë ndarë një herë e mirë me Berishën, e kanë braktisur në rrugë.

Berisha, pas 21 janarit tha, më erdhi Tom Countryman dhe tha duhet të lejosh opozitën që të protestojnë, dhe Berisha tha, i thashë zotërisë, thuaji Edi Ramës, po e bëri prapë atë që bëri, do të vë pesë snajpera dhe snajperi gjashtë do të jem unë. Nëse nuk përgjigjen snajperët legalë, do e vras unë. Unë ia thashë një të huaji këtë dhe nuk i besohej.

Shqiptarët pavarësisht nga shkalla e inteligjencës dhe formimi politik, përballë një personazhi të tillë e kanë të lehtë zgjidhjen”- tha Mustafa Nano.