Historia e jashtëzakonshme midis një familje myslimane çame dhe një familje ortodokse greke

Historia e jashtëzakonshme midis një familje myslimane çame dhe një familje ortodokse greke

Nga Xhona Gumbardhi (Ibrahimi)

Një grek i ngre përmendore në Çamëri vëllamit çam

Dramën çame e kam përjetuar me dhimbje të madhe sepse gjyshi ynë, Hajredin Isufi, e përjetoi atë që prej moshës 12 vjeç. Rrëfimet e tij plot hollësi e ngjarje emocionuese kanë lënë gjurmë zemrat tona. Kur po kthehesha këto ditë nga një vizitë në Gumenicë, hipur në veturë sillja ndërmend kujtimet e gjyshit e mendoja e çuditur se si kanë mundur ta përballojnë mijëra çamë të të gjitha moshave rrugëtim në distanca kaq të gjata e duke mbartur në krahë e fëmijë a pleq, të sëmurë apo invalidë.

Hajredini në atë kohë ka qenë 12 vjeç, kurse vëllai i tij vetëm 5 vjeç. Në një moment nëna që mbante vëllain e vogël, Ademin, nuk e ndjeu kur djali tjetër u shkëput dhe humbi në turmën e njerëzve të hallakatur. Kur e kuptoi i iku mendja për disa çaste, pastaj, kur erdhi në vete, ulëriti me të madhe: Djalii! Djalii! djaliii… Ku e kam djalin?! Krejt familja u çoroditën dhe nisën ta kërkojnë. U hallakatën të gjithë rreth e qark dhe më në fund e gjetën duke qarë nën një pemë. Për udhëtimin gjyshi na thoshte se ato ditë të rënda për ne qielli ishte strehë dhe dysheme ishte toka.

Në nëntor 1944, kur u dëbuan për në Shqipëri, familja Isufi (Ibrahimi) përbëhej prej 5 vetash: babai i tij, Xhevizi, dy vëllezërit (Hajredini dhe Ademi) dhe një motër e vogël. Bashkë me ta ishin edhe xhaxhallarët, Safeti dhe Iljazi me familjet e tyre. Rrugës i zuri një shi i fortë. E vetmja mbrojtje që kishin ishin dy velenxa, të cilat i përdorën si tendë mbrojtëse nga shiu. Por ai shi që binte me gjyma nuk mbante asgjë. Ishin në Sofikë, në rrugën automobilistike, anë xhadesë. Fëmijët nga shiu dhe frika nisën të qanin. Mund të kishin përfunduar keq, por fati e deshi që nga kodrat e larta të fshatit Sofikë pamë tre shtëpi që ndezën llambat dhe 4-5 burra të fuqishëm, grekë me zemër të madhe që vrapuan drejt bregut të xhadesë ku kishim ngecur ne.

Rrëfen gjyshi: “Morën të vegjlit në krahë dhe pas tyre u ngjitëm dhe ne në shtëpitë e tyre. Ndezën zjarret, na ndërruan, na veshën me rrobat e tyre dhe na qetësuan shpirtrat tanë që mendonin për jetë a vdekje. Ata na shpëtuan. Na trajtuan si pjesëtarë të familjeve të tyre. Na mbajtën një javë me të ngrënë e të pirë. Nuk do e harrojmë kurrë atë gjest të madh të minoritarëve në Sofikë. Kurrë nuk do e harrojmë emrin Sofik, kurrë nuk do të shuhet nga kujtesa emri Sofik…

Por gjyshi na ka treguar edhe një histori tjetër shumë interesante të ndodhur një vit më parë, histori që dëshmon se mirësia gjithnjë kthehet me mirësi: “Në vitin 1943, një i krishterë (grek) nga Gumenica, Strati Vrisi nga Grikohori, me dy makina të ngarkuara me vaj, u nis për t’i tregtuar në Janinë. Por në fshatin çam Rrëzanj, një fshat i vogël me rreth 30-40 shtëpi, në brigjet e lumit Kalama ndodhi një akt i shëmtuar. Disa katundarë të asaj zone ndaluan makinën e Strati Vrisit të ngarkuar me vaj, ja grabitën dhe e morën peng, duke i bërë presion të dorëzonte edhe paratë që kishte me vete. Fati e deshi që në atë moment kalon çami nga Rrëzanji, Xheviz Isufi, babai i Hajredinit, i cili dëgjon sherrin që bëhej. Keqbërësit nuk ishin nga Rrëzanji, por kishin edhe nga Dramësi, kishte edhe nga Varfanji, vëllezërit binjakë Hasani dhe Hyseni, banditë që nuk linin gurë pa trazuar. Xheviz Isufi habitet kur sheh Strati Vrisin, “vëllamin” e tij të vjetër, mes çakejve që donin ta grabisnin. Xheviz Isufi ishte njeri me rreth të madh miqësor e familjar. Dërgoi dhe thërrit në Dramës krushqinë e vëllait, Iljazit, dërgoi në brigjet e Horës një person që u bëri thirrje njerëzve të tij në Dolan, njerëzve të Rexhep Mahmanit. Thirrje ishte alarmante dhe ndihma nuk u vonua. Kur myslimani nga Rrëzanji e ndjeu veten të sigurtë për veprimet që do ndërmerrte, iu drejtua Stratiut: “Strati, çohu se do të shkojmë në shtëpinë time; aty do të jesh i sigurtë si në Grikohor! Stratiu u bind! I shoqëruar nga njerëzit e Xheviz Isufit shkuan në fshatin Rrëzanj. Njerëzit e tjerë që kishin shkuar në ndihmë të Xhevizit bënë rrethimin e dytë mbrojtës të shtëpisë.

Ishin momente të vështira. Luftohej për jetë a vdekje të “Vëllamit” grek. Stratiu vetëm një fjalë shqiptonte: “Xheviz, mos e vër familjen në rrezik! Ky ishte fati im, fati im i keq! Po çami nga Rrëzanji përsëriste një fjalë: Rri i qetë, jeta jote është në duar të sigurta, kur të zhduket fisi im do të zhdukesh edhe ti!

Për tri ditë shtëpia vazhdoi e rrethuar. Në mbrojtje të Stratiut morën pjesë edhe gratë dhe fëmijët. Pas tri ditësh Xhevizi dërgon lajm në Grikohor dhe lajmëroi familjen e Vrisëve që Stratiu ishte gjallë në Rrëzanj te shtëpia e Xheviz Isufit. Paria myslimane e Grikohorit, e cila dallohej për mençuri, mes të cilëve Hizdër Ahmeti, organizuan një grup prej 4 vetash që u nis nga Grikohori i armatosur për të arritur në Rrëzanj te shtëpia. Personat në fjalë njiheshin, kishin influencë të madhe. Pa asnjë vështirësi hynë në dhomë, takuan Xhevizin, pjesëtarët e familjes mes të cilëve ishte dhe Stratiu me fytyrë të mavijosur nga frika.

Aty për aty u vendos që nga katër që hynë brenda të dilnin 3 të veshur si çamë, mes të cilëve njëri do të ishte Stratiu. Dhe ashtu u bë! U la fjala që kur të dilnin në lartësitë e Kodrave të Salicës, të krihnin armë me fishekzjarr që do të thoshte se kaluan rreziqet. Kështu u bë dhe ky akt që kreu Xheviz Isufi formoi një lidhje e qëndrueshme vëllazërore që u mbrojt me jetën e familjarëve çamë.

Shumë vjet pas këtyre ngjarjeve, marrëdhëniet “Vëllamërore” mes Xhevizit dhe Stratiut, i cili u nda nga jeta në vitin 1986, i rezistuan kohës. Në kohën e trazirave që ndodhën në Greqi në vitin 1943, Stratiu e ftoi Xhevizin të shkonte bashkë me familjen e tij në Janinë, por miku shqiptar nuk pranoi të ndahej nga vëllazëria e tij. Por Eleni, e shoqja e Stratiut, erdhi në Shqipëri në vitin 1986 dhe prej saj mësuam shumë gjëra.

Stratiu dhe Xhevizi u ndanë njëherë e përgjithmonë në vitin 1944 pa u parë më. Stratiu vdiq në 1986, kurse Xhevizi kishte vdekur në vitin 1969. Stratiu vdiq në 1986, kurse Xhevizi kishte vdekur disa vite më parë. Por greku Stratiu, në shenjë kujtimi për shpëtimin që iu bë nga myslimani çam, ka lënë një monument të paharruar::

Dy fjalë për historinë e konizmës…

Petro Vrisi, vëllai i Stratiut, në vitin 1986-1987 erdhi dy herë në Shqipëri për të kontaktuar me “myslimanin çam” Xheviz Isufi që i kishte shpëtuar jetën Stratiut. Për fat të keq, asnjëri as tjetri nuk jetonin më. Xhevizi kishte ndërruar jetë vite më përpara Stratiut. Gjatë bisedave që shkëmbyen, gjyshi im, Hajredini, dhe Petro Vrisi mësuan detaje interesante: Stratiu Vrisi, 7-8 muaj para se të ndërronte jetë, i shprehu dëshirën amanet të vëllait, Petro Vrisit. Ai kërkoi që në krah të shtëpisë së Xhevizit në Çamëri, në anë të rrugës së fshatit, të ndërtohej një relikë, përkujtimore që do të shenjonte përjetë miqësinë mes dy familjeve; të krishterit nga Grikohori dhe çamit nga Rrëzanji. Petro ndërtoi një konizëm të vogël që ai vend, ajo hapësirë rreth shtëpisë së çamit mysliman të përjetësohej si vend i shenjtë dhe ta kujtonte çdo njeri që do të kalonte asaj rruge. Petro ka treguar, gjithashtu, se kur Stratiu mbërriti në shtëpi të tij gratë shpërthyen në të qara dhe nuk u besonin syve që nga ato ditë ku krimi kishte marrë rrugët, të kthehej gjallë i pari i Stratëve. E gjitha kjo falë çamit mysliman Xheviz Isufit. Për këtë, vëllai i Stratiut i e mbajti fjalën për ndërtimin e konizmës.

Këta njerëz të mirë nuk jetojnë më, por kujtimi i tyre është i gjallë dhe prandaj unë këto ditë mora rrugën nga Durrësi drejt Rrëzanjit në Çamëri për gjyshin tim të dashur e të shtrenjtë që në këto çaste po përjeton momente të vështira në jetën e tij.

Unë shkova në Rrëzanj për të parë dhe fotografuar kontaktet e para të gjyshit në fshatin e tij. Gjeta shtëpi nën rrënoja, varrezat, shkollën e rrënuar të fshatit që ishte hapur për fëmijët myslimanë në vitin 1937, por asnjëherë nuk u bë shkollë shqipe.

Por gjeta dhe konizmën që gjyshi e ruan në kujtesën e tij si një relikë të çmuar. Sapo hyra në fshat, gjëja e parë që më ra në sy ishte konizma. U gjallërova, lodhja e rrugës më iku menjëherë dhe fitova besimin se e gjeta fshatin që shkoja për herë të parë tok me vajzën time, Gean dyvjeçare. Po realizoja një porosi amanet të gjyshit tim, Hajredinit.

Ishte porosi e tij që të vendosja këtë fotografi që duket në foto me shënimin në konizmë: Që të mësohet se konizma i dedikohet Xheviz Isufit, babait të gjyshit tim, shqiptarit mysliman që i shpëtoi jetën fqinjit, grekut të krishterë, Strati Vrisit.

E bëra shënimin poshtë fotos së Strati Vrisit dhe tok me kornizën i vendosa brenda konizmës. Ky ishte qëllimi i vizitës time në Rrëzanj të Çamërisë.

Ndeza qirinj pranë konizmës së stërgjyshit tim dhe në atë kornizë me fotografi të cilën e lashë brenda konzimës shkruhej:

“Kjo fotografi është e të ndjerit Strati Vrisi nga Grikohori, që ka lidhje me Konizmën: Sipas dëshmive të familjarëve të tij, vëllait Petro Vrisi dhe të së shoqes, Eleni Vrisi. Konizmën e ngriti Stratiu në shenjë mirënjohje dhe respekti për familjen myslimane të Rrëzanjit, Xheviz Isufin (Ibrahimi), me të cilin Stratiu ishte “Vëllam”, por edhe familjarëve të tij për të kujtuar se ata në vitin 1943 shpëtuan jetën e Stratiut nga elementët keqbërës dhe grabitës. Xhevizi dhe vëllezërit e tij çamë vunë në rrezik familjarët për shpëtimin e jetës së të krishterit. Edhe gratë në ato 3/4 ditë rrethimi kishin marrë pushkët në mbrojtje të të krishterit. I përjetshëm qoftë emri i Strati Vrisit për këtë gjurmë kujtimi dhe mirënjohje të paharruar që ka lënë!”

Në konizmë në anë të xhadesë, çdo ditë ndizeshin qirinj dhe sipas zakonit ortodoks, qirinjtë simbolizonin një vend të shenjtë që në ditë të vështira qe shpëtuar një i krishterë. Kjo i bëri të pavdekshme lidhjet e myslimanëve dhe të krishterëve në mbrojtje të jetës së tyre në ditë të vështira të atij terrori të egër fashist. Ajo miqësi la gjurmë të thella e krijoi lidhje vëllazërore.