Nga Mero Baze
Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kallëzuar në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj, sekretarin e përgjithshëm të ministrisë dhe drejtuesit e degëve të Thesarit në rrethe. Ata akuzohen se nuk kanë zbatuar vendimet që lidhen me pagat e magjistratëve.
Në të njëjtën kohë, në emër të Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve është përgatitur një projektdeklaratë, e cila jo vetëm kërkon pagesën e menjëhershme të borderove të hartuara nga vetë gjyqësori, por paralajmëron edhe kufizimin e veprimtarisë së gjykatave vetëm në çështjet urgjente.
Pra, drejtësia e ka caktuar vetë pagën, ka hartuar borderot, ka kallëzuar zyrtarët që nuk i kanë paguar dhe tani kërcënon se do të ndërpresë pjesërisht dhënien e drejtësisë derisa të marrë paratë.
Dhe të gjitha këto i quan mbrojtje të shtetit të së drejtës.
Vendimi nr. 15, datë 17 shkurt 2026, i Gjykatës Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht ndryshimet e bëra në vitin 2023 në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjykata urdhëroi Kuvendin të miratonte ndryshimet e nevojshme ligjore brenda 31 korrikut 2026. Ajo përcaktoi gjithashtu se efektet e shfuqizimit do të hynin në fuqi me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se kjo datë.
Projektdeklarata e gjyqtarëve pranon se mosveprimi i Kuvendit “nuk e ringjall normën e shfuqizuar”. Pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit.
Një dispozitë e vjetër nuk del nga varri vetëm sepse është shfuqizuar dispozita që e zëvendësoi. Nëse një ligj e kishte përcaktuar pagën 1.000 lekë dhe një ligj i ri e bëri 1.100 lekë, shifra e parë pushoi së ekzistuari me hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Nëse Gjykata Kushtetuese shfuqizon më pas shifrën 1.100, nuk ringjallet automatikisht shifra 1.000.
Thjesht krijohet një boshllëk që duhet ta plotësojë ligjvënësi.
Kjo është arsyeja përse Gjykata Kushtetuese nuk ngarkoi Këshillin e Lartë Gjyqësor të caktonte formulën e pagave. Ajo ngarkoi Kuvendin të miratonte ndryshimet ligjore të nevojshme.
Por Kuvendi nuk veproi brenda afatit. Pas kësaj, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin nr. 435, datë 26 gusht 2026, dhe mbi këtë vendim u hartuan borderot e reja. Tani gjyqtarët pretendojnë se Thesari duhet vetëm t’i ekzekutojë, pasi nuk ka kompetencë të kontrollojë ligjshmërinë e vendimit të KLGJ-së.
Ky është një arsyetim shumë i leverdishëm për atë që kërkon paratë, por i rrezikshëm për shtetin.
Këshilli i Lartë Gjyqësor administron sistemin gjyqësor, por nuk është Kuvend. Ai nuk mund të mbushë me vendim administrativ një boshllëk që Gjykata Kushtetuese ia ka lënë ligjvënësit për ta plotësuar me ligj. Garancia kushtetuese e paprekshmërisë së pagës së gjyqtarit nuk është një çek i bardhë që i jep gjyqësorit të drejtën ta përcaktojë vetë shumën dhe t’ia dërgojë Thesarit për pagesë.
Thesari nuk mund të paguajë një shumë vetëm sepse ajo është shkruar në një bordero. Çdo pagesë nga buxheti duhet të ketë bazë të qartë ligjore. Përndryshe, drejtuesit e Thesarit, që sot kallëzohen për mosekzekutim, nesër mund të kallëzohen për shpërdorim detyre dhe nxjerrje të paligjshme të parave publike.
Projektdeklarata përpiqet të bashkojë në një çështje të vetme tri probleme të ndryshme.
E para është paga e zakonshme e gjyqtarëve dhe e administratës gjyqësore. Administrata duhet të paguhet dhe vetë dokumenti pranon se pagesat e saj nuk janë pjesë e kundërshtimit të Ministrisë së Financave ndaj formulës së re.
E dyta janë detyrimet e prapambetura, për të cilat gjyqtarët i referohen paragrafit 110 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse këto detyrime janë të përcaktuara dhe kanë bazë të drejtpërdrejtë ligjore, ato duhet të llogariten dhe të paguhen veçmas.
E treta është formula e pagës pas 31 korrikut 2026. Pikërisht këtu ekziston konflikti dhe pikërisht këtu ligji i munguar nuk mund të zëvendësohet me një vendim të KLGJ-së.
Por, në vend që t’i kërkojë Kuvendit të përmbushë detyrimin e tij, drejtësia ka zgjedhur të kallëzojë penalisht zyrtarët e ekzekutivit.
Dhe kallëzimin do ta shqyrtojë po drejtësia.
Drejtësia është pala që kërkon paratë. Drejtësia ka prodhuar aktin mbi të cilin kërkohen paratë. Drejtësia ka bërë kallëzimin. Drejtësia do ta hetojë dhe, nëse çështja shkon në gjykatë, drejtësia do ta gjykojë.
Projektdeklarata premton se do të ruhet “paanshmëria e gjyqtarëve dhe e gjykatave që mund të thirren për shqyrtimin e këtyre çështjeve”. Por paanshmëria nuk garantohet duke e shkruar në fund të një deklarate. Kur i gjithë sistemi gjyqësor shpall se do të reagojë “në një zë të vetëm”, është e vështirë të shpjegohet se si një gjyqtar i të njëjtit sistem do të qëndrojë jashtë këtij interesi të përbashkët financiar.
Edhe më i rëndë është kërcënimi për kufizimin e veprimtarisë së gjykatave vetëm në çështjet urgjente.
Gjyqtarëve u ndalohet greva. Kufizimi i seancave për të imponuar plotësimin e një kërkese financiare është grevë, pavarësisht se në deklaratë quhet “përshkallëzim masash”. Nuk mund t’u mbyllësh qytetarëve dyert e gjykatave dhe të pretendosh se po mbron të drejtën e tyre për drejtësi.
Ndërkohë, Kuvendi sillet sikur kjo nuk është çështje e tij dhe nuk thërret urgjentisht një dëgjesë për të shpjeguar këtë konflikt të paprecedentë. Nuk pyet se mbi cilën dispozitë ligjore është ndërtuar formula e re, kush e ka të drejtën të caktojë pagat dhe me çfarë të drejte kërcënohet kufizimi i veprimtarisë së gjykatave.
Buxheti i shtetit nuk jepet me vetëshërbim. Drejtësia nuk mund ta caktojë vetë pagën, t’ia dërgojë borderon Thesarit, të kallëzojë arkëtarin që nuk e paguan dhe pastaj të kërcënojë qytetarët me mbylljen e gjykatave.
Kjo është përpjekja e një pushteti për t’u bërë njëkohësisht ligjvënës, përfitues, kallëzues, hetues dhe gjykatës i çështjes së vet.

