11 shtatori do të kujtohet gjithmonë për një nga sulmet më terroriste në histori që tronditi botën. Kullat Binjake të World Trade Center në Nju Jork kishin qenë prej kohësh një objektiv i rëndësishëm për al Qaeda-n.
Ato shiheshin si simbol i fuqisë ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Khaled Sheikh Mohammed, një nga drejtuesit kryesorë operacionalë të al Qaeda-s dhe bashkëpunëtor i Osama bin Ladenit, punoi për vite me radhë në planifikimin e një sulmi ndaj tyre.
Përpjekja e parë ndodhi në shkurt të vitit 1993. Militantët shpërthyen një automjet të mbushur me eksploziv në garazhin nëntokësor të një prej kullave. Nga sulmi humbën jetën gjashtë persona. Autori kryesor ishte Ramzi Yousef, nipi i Khaled Sheikh Mohammed.
Pas këtij sulmi u hartua edhe një tjetër plan, që parashikonte rrëmbimin e disa avionëve pasagjerësh dhe përplasjen e tyre në objektiva të ndryshme. Ky plan u zbulua dhe u pengua, por Khaled Sheikh Mohammed vazhdoi të punonte për një sulm të madh ndaj Shteteve të Bashkuara.
Me kalimin e viteve u krijua grupi që do të zbatonte sulmet e 11 shtatorit 2001. Sipas rindërtimeve të mëvonshme, jo të gjithë drejtuesit e al Qaeda-s ishin dakord me planin. Disa kishin frikë nga reagimi i ashpër i Shteteve të Bashkuara.
Osama bin Laden, megjithatë, ishte i bindur se operacioni do të kishte sukses, edhe pse besohet se nuk e kishte parashikuar plotësisht përmasën e pasojave.
Në qendër të planit ishin katër persona që do të merrnin kontrollin e avionëve. Tre prej tyre ishin Mohammed Atta, Marëan al-Shehhi dhe Ziad Jarrah, ndërsa i katërti ishte Hani Hanjour, i cili kishte edhe përvojë si pilot.
Anëtarët e grupit hynë në Shtetet e Bashkuara, ndoqën kurse fluturimi në vende të ndryshme dhe kryen udhëtime për të përgatitur operacionin. Me ta u bashkuan edhe persona të tjerë, të cilët kishin për detyrë të merrnin kontrollin e avionëve.
Një tjetër person, Zacarias Moussaoui, konsiderohej si pjesë e planit, por u arrestua para se të mund të merrte pjesë në sulm. Ai u dënua më vonë me burgim të përjetshëm. Më 11 shtator 2001, 19 rrëmbyes morën kontrollin e katër avionëve. Objektivat kryesore ishin Kullat Binjake, Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë.
Në orën 08:46, fluturimi 11 i American Airlines goditi Kullën Veriore të World Trade Center. Rreth orës 09:03, fluturimi 175 i United Airlines goditi Kullën Jugore. Kulla Jugore u shemb në orën 09:59, ndërsa Kulla Veriore ra në orën 10:28.
Sipas hetimeve dhe ekspertëve, shembja e kullave u shkaktua nga kombinimi i përplasjes së avionëve, dëmtimeve të strukturës dhe zjarreve të fuqishme të shkaktuara nga karburanti i avionëve. Dëmtimi i kateve të goditura shkaktoi më pas një shembje progresive të ndërtesave.
Sulmet e 11 shtatorit kanë qenë prej vitesh objekt i teorive konspirative, të cilat kanë pretenduar se kullat ishin shpërthyer me eksplozivë ose se sulmet ishin pjesë e një komploti të brendshëm. Këto pretendime nuk përputhen me përfundimet zyrtare të hetimeve.
Megjithatë, hetimet kanë ngritur edhe pikëpyetje të tjera, përfshirë paralajmërimet që nuk u morën parasysh, mundësitë e humbura për të zbuluar komplotin dhe problemet në bashkëpunimin mes FBI-së dhe CIA-s.
Në total, vetëm në kompleksin e World Trade Center humbën jetën më shumë se 2,750 persona. Sulmet shënuan një nga momentet më tragjike në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara dhe u pasuan nga luftëra të gjata amerikane në Afganistan dhe Irak. Edhe më shumë se dy dekada më vonë, puna për identifikimin e viktimave vazhdon.

