Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X ndaj vendimit të Gjykatës Administrative për çështjen e pagave të magjistratëve, duke kritikuar shpejtësinë me të cilën, sipas tij, gjykata ka vepruar për një çështje që prek drejtpërdrejt interesat e vetë sistemit gjyqësor.
Rama shkruan se, nëse Gjykata Administrative do të kishte të njëjtin standard dhe të njëjtën shpejtësi për çdo qytetar apo institucion që pret zgjidhje, kjo do të ishte për t’u përshëndetur. Sipas tij, është “tejet turbulluese” që të merret kaq shpejt një masë sigurie për një çështje që lidhet me rritjen e pagave të magjistratëve, ndërkohë që mijëra dosje të qytetarëve presin prej vitesh në gjykata.
“Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cenon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se, sipas tij, “dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ”, duke shtuar se Kuvendi do të trajtojë çështjen në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator”, shkruan Rama.
Deklarata e plotë e Kryeministrit
Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative…
Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese! Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.

