Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për “Dritare” të Rudina Xhunga, ka dalë në mbrojtje të ministrit aktual të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, duke vlerësuar aftësitë dhe punën e tij. Rama theksoi se ministri i ka të gjitha cilësitë e nevojshme për të mbuluar detyrën që i është besuar.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te lidhja e tij profesionale me ish-ministren Belinda Balluku, duke nënvizuar se nuk ishte ajo që e solli në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Nuk e ka sjellë Belinda Balluku në atë ministri, por e ka gjetur aty”, deklaroi Rama, duke kundërshtuar kështu idenë se promovimi i tij lidhet me Ballukun.
“Ministri aktual i Infrastrukturës dhe Energjisë është një djal që i ka të gjitha ato që i duhen për ta mbuluar atë detyrë dhe që nuk e ka sjell Belinda Balluku në atë ministri por e ka gjetur në atë ministri”, tha Rama.
“Çfarë është faji i tij, që ajo e gjeti aty dhe ai u promovua?”, u shpreh Rama. Kryeministri vlerësoi gjithashtu punën e tij të mëparshme në OSHEE si “shembullore”, ndërsa shtoi se edhe në detyrën aktuale po punon dhe se ai personalisht është “shumë i kënaqur” me performancën e ministrit.

