Beteja e fundit për ish-krerët e UÇK! Rama: Liri për çlirimtarët! Thaçi do të triumfojë me forcën e së vërtetës

Beteja e fundit për ish-krerët e UÇK! Rama: Liri për çlirimtarët! Thaçi do të triumfojë me forcën e së vërtetës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për procesin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndërsa më 16 shtator pritet të shpallet vendimi nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shprehet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar procesin si një “farsë” dhe duke theksuar se, pavarësisht viteve të burgimit, liria dhe e vërteta nuk mund t’u mohohen.

“LIRI PËR ÇLIRIMTARËT”, shkruan Rama në nisje të reagimit të tij.

“Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund”, shkruan Rama.

Më tej, kryeministri e lidh qëndresën e katër ish-krerëve të UÇK-së me historinë e Kosovës dhe luftën për liri.

“Ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij”, vijon ai.

Rama thekson se vitet e paraburgimit, sipas tij, vetëm sa e kanë forcuar bindjen për të vërtetën e tyre, duke vlerësuar njëkohësisht mbështetjen që kanë marrë nga shqiptarët.

Reagimi i kryeministrit vjen pak ditë para vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, ku pritet të shpallet aktgjykimi për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, të cilët përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.