Revista franceze: Nga Thethi në Sarandë, nëntë mrekullitë e Shqipërisë që duhet t’i vizitoni të paktën një herë

Revista franceze: Nga Thethi në Sarandë, nëntë mrekullitë e Shqipërisë që duhet t’i vizitoni të paktën një herë

Nga Alpet madhështore te ujërat e kristalta të Rivierës, Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët e huaj, shkruan Ambia Staley në botimin francez të revistës së njohur të udhëtimeve “Quartz”, e cila ka përzgjedhur nëntë vendet më të bukura të vendit, që sipas ekspertëve të turizmit meritojnë të zbulohen të paktën një herë.

Shumica e turistëve që planifikojnë një vizitë në Ballkan, ende zgjedhin të njëjtat destinacione të njohura bregdetare në Kroaci ose Mal të Zi. Shqipëria, e vendosur në jug të tyre, vazhdon të jetë më pak e përfshirë në itineraret tradicionale turistike, pavarësisht se ofron male spektakolare dhe një vijë bregdetare, që mund të rivalizojë shumë prej destinacioneve të Mesdheut.

Ideja se Shqipëria është thjesht një version më pak i zhvilluar i fqinjëve të saj është tashmë e vjetruar. Industria turistike e vendit është zhvilluar me shpejtësi vitet e fundit, ndërsa çmimet për ushqimin dhe akomodimin mbeten përgjithësisht më të ulëta se në Kroaci apo Itali.

Sipas ekspertëve të turizmit, këto janë nëntë vendet më interesante për t’u vizituar në Shqipëri, nga Alpet në veri deri te Riviera në jug dhe qytetet historike në brendësi të vendit:

1. Thethi – Parajsa e alpinistëve

I vendosur në Alpet Shqiptare, Thethi është një nga destinacionet më spektakolare për adhuruesit e natyrës dhe të ecjeve në mal. Fshati është i rrethuar nga male dhe lugina që krijojnë një peizazh mbresëlënës. Dy prej aktiviteteve më të njohura janë ecjet drejt Syrit të Kaltër dhe shtegu nga Thethi drejt Valbonës.

Rruga drejt Syrit të Kaltër kalon përmes pyjeve dhe pranë përrenjve, ndërsa shtegu Theth-Valbonë është shumë më sfidues. Ecja zgjat rreth 6 deri në 8 orë dhe kërkon përgatitje fizike. Thethi është destinacioni ideal për ata që janë të gatshëm të heqin dorë nga komoditetet e qytetit në këmbim të peizazheve të jashtëzakonshme malore.

2. Saranda – Qendra e jetës së natës në Rivierë

Saranda është një nga portat kryesore drejt Rivierës Shqiptare dhe një bazë e përshtatshme për të eksploruar jugun e vendit. Qyteti njihet për restorantet, baret dhe jetën e natës, ndërsa afërsia me Ksamilin e bën të lehtë kombinimin e të dyja destinacioneve në një udhëtim.

Nga Saranda nisen edhe ekskursione me varkë drejt plazheve dhe gjireve, që janë të vështira për t’u arritur me makinë, mes tyre Kakomeja dhe Krorëza. Muajt maj, qershor dhe shtator ofrojnë një ekuilibër të mirë mes motit të ngrohtë, aktiviteteve turistike dhe numrit më të ulët të vizitorëve krahasuar me korrikun dhe gushtin. Në dimër, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve turistike mbyllen, ndaj Saranda është në maksimumin e saj gjatë sezonit të ngrohtë.

3. Porto Palermo – Një nga zonat më të qeta të Rivierës

Porto Palermo ofron një tjetër pamje të Rivierës Shqiptare, larg zhurmës dhe turmave të qendrave më të mëdha turistike. Në qendër të zonës ndodhet Kalaja e Porto Palermos, ndërsa pranë saj gjenden edhe gjurmë të historisë ushtarake të Shqipërisë, përfshirë një ish-bunker nëndetësesh.

Zona është veçanërisht e përshtatshme për kamping dhe eksplorim të gjireve të vegjël. Një mënyrë interesante për të zbuluar bregdetin është kajaku, i cili mundëson arritjen në gjire të izoluara, që nuk mund të vizitohen lehtë nga toka.

Porto Palermo është një zgjedhje e mirë për ata që duan të shijojnë Rivierën në një atmosferë më të qetë.

4. Korça – Histori, arkitekturë dhe atmosferë tradicionale

Korça është një nga qytetet shqiptare që dëshmon më mirë historinë dhe traditat urbane të vendit. Një prej atraksioneve kryesore është Pazari i Vjetër, me rrugët me kalldrëm, ndërtesat tradicionale dhe kafetë që krijojnë një atmosferë karakteristike.

Qyteti është i njohur edhe për kulturën e kafesë dhe për rakinë, pije tradicionale shqiptare. Ndryshe nga destinacionet e Rivierës, Korça nuk mbështetet te plazhet apo jeta e natës. Ajo tërheq vizitorët me arkitekturën, historinë, ushqimin dhe ritmin më të qetë të jetës.

5. Shkodra – Qyteti që zbulohet më mirë me biçikletë

Shkodra është e njohur për kulturën e saj të biçikletave. Për shumë banorë, biçikleta është një nga mënyrat kryesore për të lëvizur në qytet. Një udhëtim me biçikletë drejt Liqenit të Shkodrës, është një nga mënyrat më të mira për të përjetuar qytetin dhe rrethinat e tij. Mbi qytet ngrihet Kalaja e Rozafës, nga ku hapet një panoramë e gjerë mbi Shkodrën, liqenin dhe malet përreth. Shkodra ka gjithashtu, një rol të rëndësishëm si pikënisje për udhëtimet drejt Alpeve Shqiptare, përfshirë Thethin dhe Valbonën.

6. Gjirokastra – “Qyteti i gurtë”

E njohur si “Qyteti i Gurtë”, Gjirokastra është një nga qytetet historike më të rëndësishme të Shqipërisë dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Çatitë dhe shtëpitë prej guri i japin qytetit pamjen e tij karakteristike. Në Gjirokastër ndodhet edhe Kalaja e Gjirokastrës, ndërsa Pazari i Vjetër është një tjetër pikë kryesore turistike.

Një nga ndërtesat më interesante është Shtëpia e Zekatëve, e ndërtuar në fillim të shekullit XIX, e cila ofron një pamje nga afër, të mënyrës së jetesës së familjeve shqiptare të asaj periudhe. Gjirokastra është gjithashtu vendlindja e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, një fakt tjetër që i shtohet historisë shqiptare.

Për adhuruesit e gastronomisë, një prej specialiteteve tradicionale është qifqia, ndërsa një tjetër pjatë karakteristike është pashaqofte, një supë me bazë qumështi dhe qofte të vogla.

7. Dhërmiu – Për ata që kërkojnë plazhe dhe jetë nate

Dhërmiu është një nga destinacionet më të njohura të Rivierës Shqiptare për pushuesit, që kërkojnë plazhe, bare dhe atmosferë verore. Gjatë sezonit, muzika dhe festivalet janë pjesë e rëndësishme e jetës së zonës. Mes eventeve më të njohura është “Kala Festival”, që tërheq vizitorë të rinj nga vende të ndryshme.

Restorantet dhe baret buzë detit, janë një tjetër pjesë e rëndësishme e eksperiencës në Dhërmi. Për shkak të popullaritetit të madh gjatë korrikut dhe gushtit, rezervimi i hershëm i hotelit është veçanërisht i rëndësishëm.

8. Lini – një fshat i qetë buzë liqenit të Ohrit

Lini, në brigjet e Liqenit të Ohrit, ofron një version shumë më të qetë të Shqipërisë. Fshati ruan lidhjen me traditën e peshkimit dhe është një vend ku ritmi i jetës, është shumë më i ngadaltë se në qytetet turistike të Rivierës.

Në majë të kodrës ndodhet një sit arkeologjik me mozaikë të një bazilike paleokristiane të shekullit VI. Nga kodra hapet një pamje e gjerë mbi Liqenin e Ohrit dhe drejt Maqedonisë së Veriut. Lini është një zgjedhje ideale, për ata që duan të largohen për pak nga turmat dhe të zbulojnë një anë më të qetë të Shqipërisë.

9. Përmeti – Aventura përgjatë Vjosës

Përmeti ndodhet pranë lumit Vjosa dhe është një nga destinacionet më të rëndësishme të Shqipërisë për turizmin e aventurës. Rafting në Vjosë, është një nga aktivitetet më të njohura, por zona ofron gjithashtu mundësi për kamping, ecje dhe çiklizëm malor. Vjosa fitoi një status të veçantë në vitin 2023, kur u shpall park kombëtar i lumit të egër, duke u bërë parku i parë kombëtar i këtij lloji në Evropë.

Pranë Përmetit ndodhen edhe Banjat termale të Bënjës, pranë lumit të Lengaricës dhe një ure të periudhës osmane. Ujërat termale janë atraksionet më të njohura të zonës. Përmeti është një destinacion që bashkon natyrën, aventurën, historinë dhe traditat lokale, duke e bërë të vlefshëm një qëndrim disaditor.