979 kandidatë për 40 pozicione të lira: Përfundon faza e aplikimeve për hetues të BKH-së!

979 kandidatë për 40 pozicione të lira: Përfundon faza e aplikimeve për hetues të BKH-së!

Ka përfunduar faza e aplikimeve për 40 pozicione të lira për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa në përfundim të afatit janë regjistruar gjithsej 979 aplikime.

Përmes një njoftimi BKH thekson se vlerëson interesin e treguar për t’u bërë pjesë e institucionit dhe falënderon të gjithë aplikantët për pjesëmarrjen në procesin e konkurrimit.

Pas përfundimit të fazës së aplikimit, procesi do të vijojë me verifikimin paraprak të aplikimeve dhe dokumentacionit të paraqitur, në përputhje me kriteret e përcaktuara në legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Aplikantët që do të plotësojnë kriteret e përcaktuara do të kualifikohen për fazat e mëtejshme të rekrutimit, të cilat përfshijnë testime dhe vlerësime, si dhe verifikimin e integritetit dhe përmbushjes së kushteve të sigurisë.

BKH bën me dije se kalimi nga njëra fazë në tjetrën do të kryhet vetëm pas përmbushjes së kritereve dhe standardeve të përcaktuara për secilën fazë.

Aplikantët do të njoftohen për rezultatet e verifikimit paraprak, si dhe për datën, orën, vendin dhe mënyrën e zhvillimit të fazave pasuese, përmes kanaleve të komunikimit të përcaktuara në dokumentacionin e procedurës.

Byroja Kombëtare e Hetimit deklaron se synon të zhvillojë një proces rekrutimi transparent, të paanshëm dhe konkurrues, të bazuar në meritë, integritet dhe aftësi profesionale, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë aplikantët.