Takimi i Bordit të Paqes në New York, Hoxha: Shqipëria kontribut aktiv në përputhje me planin 20-pikësh të Presidentit Trump

Takimi i Bordit të Paqes në New York, Hoxha: Shqipëria kontribut aktiv në përputhje me planin 20-pikësh të Presidentit Trump

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha mori pjesë në takimin informues të Bordit të Paqes, së bashku me Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, të mbajtur në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Takimi u përqendrua në përpjekjet e vazhdueshme dhe të koordinuara për të adresuar një nga krizat ndërkombëtare më urgjente dhe komplekse të kohës sonë.

Hoxha nënvizoi se Shqipëria po i mbështet në mënyrë aktive këto përpjekje, përfshirë edhe përmes kontributit të saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), në përputhje me Rezolutën 2803 (2025) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe planin 20-pikësh të Presidentit Trump.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të punuar ngushtë me partnerët tanë për t’i përkthyer këto angazhime në përmirësime të prekshme në jetët e njerëzve të Gazës, duke ndihmuar në krijimin e kushteve për një të ardhme më të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë për të gjithë”, tha Hoxha.

Angazhimet shumëplanëshe ndërkombëtare synojnë t’u përgjigjen nevojave të menjëhershme humanitare, duke hedhur themelet për siguri të qëndrueshme, stabilitet, rimëkëmbje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm në Gaza.