Konispoli prodhon 5 milion kg. mandarina, për herë të parë eksport edhe në Zvicër!

Konispoli prodhon 5 milion kg. mandarina, për herë të parë eksport edhe në Zvicër!

Në Konispol, hambarin e mandarinave, këtë vit prodhimi arrin në 5 mijë tonë ose 5 milion kg. Pjesa më e madhe e prodhimit shkon për eksport. Krahas Polonisë e Çekisë, për herë të parë, mandarinat mbërrijnë edhe në tregjet zvicerane.

Fermerët dhe grumbulluesit shprehen të kënaqur me çmimin dhe cilësinë.

“Për këtë vit mandarinat janë 10 ditë më vonë sepse edhe shirat ranë më vonë, çmimi deri tani mirë është, filloi me 80, tani është 60-70 lekë.”- u shpreh njëri prej tyre.

Vjelja e mandarinave është një mundësi e mirë për punësimin sezonal. Një nga punonjëset e angazhuara në këtë proces shprehet e kënaqur me cilësinë e prodhimit.

“Po punoj te nipi i burrit, është mandarinë e paparë, e mirë, e pastër, kemi punuar përditë, jemi të kënaqur shumë, bravo për mallin që kanë.”- tha punonjësja.

Edhe punonjës të tjerë të angazhuar në vjelje konfirmojnë se këtë vit prodhimi është më i lartë krahasuar me sezonin e kaluar.

“Prodhimi shumë i mirë, nga vjet në sivjet ka më shumë prodhim.”- u shpreh punonjësi.

Në pikat e grumbullimit, kryhen analizat për prodhimin që shkon për eksport. Arjol Shero, sipërmarrës në një pikë grumbullimi, thotë se këtë vit prodhimi paraqitet në gjendje shumë të mirë. Ai thekson se puna për mirëmbajtjen e frutave ka nisur prej muajsh, në bashkëpunim edhe me agronomë shqiptarë dhe të huaj.

“Situata sivjet është shumë e mirë, duket një vit i mbarë me prodhim të mbarë dhe produkt shumë të pastër, ne jemi në fillim të vjeljes, në procesin e analizave të frutave, pasi do bëjmë dhe seleksionimin e fermerëve me të cilët do punojmë sivjet, gjendja është shumë e mirë dhe gjatë gjithë vitit jemi kujdesur për frutat dhe jemi konsultuar me agronomë shqiptarë dhe të huaj dhe shpresojmë se do jetë një vit i mbarë.”- tha Shero.

Edhe fermerët konfirmojnë se cilësia e mandarinave është e mirë, ndërsa vjelja ka nisur gradualisht në parcelat e zonës. Sipas një fermeri nga fshati Çiflik, frutat kanë marrë zhvillim të mirë, ndërsa ngjyra karakteristike e tyre pritet të plotësohet në vijim të procesit të pjekjes.

“Jemi shumë të kënaqur, dhe tregu ka filluar të funksionojë, vetëm që nuk i ka ardhur ngjyra akoma, por duke vazhduar punën ne, duke mbledhur, dhe pjesës tjetër i vjen ngjyra.”- u shpreh fermeri.

Për herë të parë mandarina “made in albania” ka mbërritur dhe në tregjet zvicerane.

Sipërmarrësi Arjol Shero bën të ditur se këtë vit është hapur për herë të parë edhe tregu zviceran, krahas destinacioneve ku mandarinat e Konispolit eksportohen prej vitesh.

“Futemi për herë të parë në Zvicër, vazhdojmë me tregun e Polonisë, Çekisë, Kroacisë, dhe me tregjet jemi shumë mirë se kemi vite që punojmë me ta dhe kemi arritur t’i japim cilësinë që ata duan.”- u shpreh Shero.

Një fermer tregon se kërkesa për eksport vijon, ndërsa edhe tregu vendas po funksionon me ritme të kënaqshme.

“Për eksport vijnë makina nga Polonia, nga vendet e ftohta, dhe tregu i brendshëm vazhdon me ritme të kënaqshme.”- rrëfeu fermeri.

Një tjetër zhvillim për fermerët është skema e kompensimit prej 10% të vlerës së mandarinave të shitura. Arjol Shero shpreson që procedurat për përfitimin e kompensimit të jenë sa më të thjeshta dhe që pagesat të mbërrijnë në kohë te fermerët.

“Në raport me marrëdhënien me shtetin për fermerët sivjet është vendosur një kompensim 10% që është gjë shumë e mirë, fermeri shet dhe me faturën që merr te pika e grumbullimit, bën aplikimin te e-Albania, dhe kompensohet 10% të vlerës së shitjes së mandarinës, shpresoj që kjo mos të ketë burokracira por t’i marrin shpejt fermerët sepse është një ndihmë e madhe.”- tha Shero.

Në Bashkinë e Konispolit janë te kultivuara rreth 950 hektarë me agrume, ku aktivitetin bujqësor e zhvillojnë afro 850 fermerë. Këtë sezon, prodhimi i mandarinave arrin në rreth 5 mijë tonë. Në vijim, fermerët do të hedhin në treg edhe prodhimin e portokalleve dhe limonave.