Milorad Dodik kishte më shumë se një arsye për të festuar mbrëmjen e së dielës. Një vit pasi drejtësia i hoqi mandatin presidencial dhe pasi administrata Trump i hoqi non-gratën, ai arriti të kishte aleatët e tij në krye të garës elektorale për postet kryesore dhe partinë e tij duke ruajtur epërsinë në Republikën Sërpska, entitetin serb të Bosnjë-Hercegovinës. Vetë nuk mund të kandidonte, por në festën e SNSD-së ishte sërish ai që shpalli fitoren, falenderoi mbështetësit dhe ia morri këngës.
Nuk zgjodhi këngë dosido. Ishin këngë me mesazh edhe për perëndimin.
Dodik këndoi “Ne može nam niko ništa”, këngën e Mitar Miriçit që në shqip do të thotë “Askush nuk mund të na bëjë asgjë”, dhe më pas “Četiri godine” të Lepa Brenës që përkthehet ‘edhe 100 vjet’.
Dodik duket shënd e verë dhe ka arsye të forta sepse dy aleatët e tij Zheljka Cvijanoviç dhe Savo Miniç i japin Dodikut mundësinë të ruajë ndikimin në institucionet nga të cilat gjykata e ka përjashtuar personalisht.
“Nëse nuk do të kishte qenë fitorja madhështore e Donald Trumpit, ndoshta sot do të ishim politikisht të vdekur. Tani, falë këtij realiteti të ri, jemi fitues politikë”, u tha Dodik mbështetësve në Banja Luka, duke falënderuar njëkohësisht edhe presidentin rus Vladimir Putin.
Edhe pse nuk ishte kandidat, pasi është ndaluar të mbajë postin e presidentit për gjashtë vjet pas një dënimi për tejkalim kompetencash, Dodik mbetet figura më e fuqishme politike në Republikën Sërpska.

