HomeHumor

Muli zbardh dy rrahjet për punë femrash në PD

Muli zbardh dy rrahjet për punë femrash në PD

Akuzat e sotme ndaj Mulit kanë qenë shumë të rënda. Akuza e parë ishte se e ka rrahur burri i një deputeteje të PD kur ishte bashkë me të në Itali. Akuza e dytë është një rrahje në Vlorë, po për çështje femrash.

Lelo, i shqetësuar nga akuzat, i kërkoi Mulit të bënin një sqarim.

– Në asnjë mënyrë, i tha Muli. Çdo sqarim shkon në favor të armikut dhe hap plagë të vjetra.

– Puna është se demokratët janë të shqetësuar, tha Lelo, se ata po qe se ke dorë edhe ta falin, por për çështje nderi nuk të falin. Duhet t’i sqarojmë.

-Problemi është se sqaroj demokratët, po ngatërroj më keq punët në shtëpi, tha Muli, kështu që më mirë të mbetet mes demokratëve kjo punë. Unë e kam thënë dhe e them gjithmonë që nuk ka burrë të vërë dorë mbi mua për çështje nderi.

-Po kjo e Vlorës çfarë është? i tha Lelo. A mund ta sqarojmë këtë të paktën, se këtë mund ta kamuflojmë edhe si “çështje Beleri”. Domethënë, që të kanë rrahur se të kanë parë me Belerin.

– Jo, në asnjë mënyrë, tha Muli. Demokratët presin që unë të rrihem dhe të vritem për vota, por jo për çështje nderi. Kështu dëmtohemi shumë. Ndaj jam kundër sqarimeve.

-Por puna është se në Itali mund të të ketë rënë rruga disa herë me deputete të ndryshme të PD dhe do krijosh shumë thashetheme, tha Lelo.

Aty Muli u mendua pak dhe tha:

-Jo, jo, vetëm me një kam qenë. S’ka probleme të tilla.

-Po në Vlorë?

– Dhe në Vlorë vetëm me një.

– Epo mirë, me njëherë nuk quhet, tha Lelo. Pa problem.