HomeAktualitetShqiperia Ime

Tirana pret turneun më prestigjioz të padelit në sheshin “Skënderbej”

Tirana pret turneun më prestigjioz të padelit në sheshin “Skënderbej”

Tirana do të mirëpresë nga data 26 deri më 30 maj një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive ndërkombëtare të padelit, teksa në sheshin “Skënderbej” do të zhvillohet turneu prestigjioz “FIP Platinum Albania”.

Eventi konsiderohet si turneu më i madh i padelit i organizuar ndonjëherë në Shqipëri dhe do të sjellë në kryeqytet lojtarë ndërkombëtarë të nivelit të lartë, ndeshje spektakolare dhe një atmosferë festive në zemër të Tiranës.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi atë, një nga eventet më të mëdha të padelit.

“Shqipëria po bëhet gati të presë një nga eventet më të mëdha të padelit në sheshin “Skënderbej””, tha ai.

Sipas organizatorëve, gjatë pesë ditëve të aktivitetit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë nga afër përballjet e sportistëve ndërkombëtarë në një arenë të ngritur posaçërisht në qendër të kryeqytetit.

Turneu “FIP Platinum Albania” pritet të promovojë më tej Shqipërinë si destinacion për evente sportive ndërkombëtare dhe të sjellë një tjetër aktivitet me rëndësi për turizmin dhe sportin në vend.

Hyrja për publikun do të jetë e lirë.