Gjykata e Lartë vendosi më 17 nëntor 2026 të lërë në fuqi dënimin me 12 vite burgim ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti, duke rrëzuar rekursin e paraqitur nga pala mbrojtëse. Me këtë vendim, dënimi i dhënë më herët nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm merr formë të prerë dhe bëhet i ekzekutueshëm.
Në dispozitivin e saj, Gjykata e Lartë urdhëroi “lënien në fuqi të vendimit nr. 2112 (30-2025-7758), datë 30.09.2025, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”.
Ky vendim i Apelit, i marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Genti Shala, Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani, kishte ndryshuar pjesërisht vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë (të shkurtit 2022). Konkretisht, nëpërmjet aplikimit të nenit 55 të Kodit Penal për bashkimin e dënimeve, masa fillestare prej 17 vitesh burg ishte ulur me 5 vite, duke u fiksuar në 12 vite.
Akuzat dhe subjektet e përfshira në proces
Sipas vendimit gjyqësor, Francesco Becchetti është shpallur fajtor për katër vepra penale të lidhura me aktivitetin e kompanive të tij dhe ish-televizionit “Agon Channel”. Në dokumentacionin e procesit specifikohet se ai u dënua për:
Me të njëjtin vendim të 30 shtatorit 2025, Gjykata e Apelit kishte rishikuar dhe ulur masën e dënimit edhe për bashkëpunëtorin e tij, Mauro De Renzis, nga 16 vite në 12 vite burgim.
Krahas Becchettit dhe De Renzis, në listën e të pandehurve dhe subjekteve të proceduara në bazë të Kodit Penal (nenet 186/2, 135/25, 144/a, 287/2, 181, 174) dhe ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridik”, përfshihen edhe shtetasit Liljana Condomiti, Erjona Troplini, Stavri Peci dhe Fetah Dervishi, si dhe pesë shoqëri tregtare: “Energy” shpk, “Kalivaç Green Energy” shpk, “Cable System” shpk, “400 KV” shpk dhe “Agon Set” shpk.
Pavarësisht përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar, Francesco Becchetti vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar, ndërsa ndaj tij mbetet në fuqi masa e sigurimit personal “arrest me burg”.

