Një grup studentësh të përfaqësuar nga një vajzë e re me emrin Lulzime Faria, deklaroi nismën për të krijuar një parti politike, produkt i protestës, të cilën duan ta pagëzojnë me emrin “Të bashkuar për Shqipërinë”
“Për 180 ditë, mijëra të rinj, prindër, mësues dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria nuk është lodhur.. Partia “Të Bashkuar për Shqipërinë” do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës”, tha Lulzime Faria.
Studentja nuk dha asnjë emër që i është bashkuar kësaj nisme, por tha se ka pedagogë, të rinj, dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.
“Nisma ka ardhur nga studentët dhe sigurisht që ka edhe profesionistë. Ashtu si studentët nuk mund ta krijojnë të vetëm një parti, edhe intelektualët nuk mund ta bëjnë këtë pa pjesëmarrjen e studentëve”, vijoi ajo.
Programi i partisë, sipas vajzës që foli në emër të studentëve, nuk do të shkruhet pas dyerve të mbyllura.
“Kemi nisur mbledhjen e firmave. Në ditët në vijim do të jemi edhe në shesh. Gjithashtu, do të takojmë qytetarët në fshatra dhe në qytete që t’u prezantojmë partinë tonë dhe që ata të mund të japin firmat e tyre”, thekson Faria.
Por megjithatë, disa pika janë vulosur.
“Drejtuesit do të zgjidhen me mandate të kufizuara dhe do të japin llogari publikisht. Themeluesit nuk do të kenë privilegje dhe donatorët nuk do të kenë ndikim. Kjo parti nuk do të bjerë pre e kultit të individit”, theksoi Faria.
E pyetur nga gazetarët nëse partia e re do të garojë në zgjedhje, Faria tha se kjo do të shihet në vijim. Kur u pyet nëse grupi që shpalli partinë përfaqëson protestuesit në shesh, Faria tha vetëm “Faleminderit” dhe u largua pa iu përgjigjur pyetjes.
Deklarata e plotë e studentëve për themelimin e partisë
Ne, një grup studentësh, së bashku me të rinj, atdhetarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe nga diaspora, deklarojmë sot me zë dhe me figurë themelimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Një parti e hapur për këdo që beson se Shqipëria mund të qeveriset me drejtësi, meritokraci, përgjegjësi dhe transparencë, në shërbim të popullit.
Për 180 ditë, mijëra të rinj, prindër, mësues dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria nuk është lodhur. Ajo është zgjuar dhe është e bashkuar. Ky zë u përket të gjithë atyre që iu bashkuan kërkesave të protestuesve. Partia “Të Bashkuar për Shqipërinë” do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës.
Prandaj, ne nuk vijmë me një program të shkruar pas dyerve të mbyllura. Në javët në vijim do të jemi pranë jush, në qytete e në fshatra, si dhe kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë. Duam të bashkojmë zërat, përvojat dhe vullnetin e shqiptarëve për të ndërtuar së bashku një alternativë të re, për të bashkuar Shqipërinë dhe për t’i dhënë vendit drejtimin që meriton.
Ne nuk bëjmë premtime. Ne vendosim standarde. Çdo angazhim i yni do të ketë një objektiv të matshëm, një përgjegjës me emër, një kosto të llogaritur dhe një afat. Do ta matim rregullisht, do ta publikojmë dhe do ta verifikojmë me ekspertë të pavarur. Kur nuk e arrijmë objektivin, do ta themi hapur, do të shpjegojmë pse dhe do të tregojmë si do ta korrigjojmë. Sepse besimi nuk kërkohet. Ai fitohet, premtim pas premtimi, rezultat pas rezultati.
Shqiptarët meritojnë një politikë që u nënshtrohet të njëjtave standarde që i kërkohen çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë. Përpara se t’i kërkojmë popullit tonë besimin, i vendosim vetes disa rregulla. Drejtuesit do të zgjidhen me mandate të kufizuara dhe do të japin llogari publikisht. Themeluesit nuk do të kenë privilegje dhe donatorët nuk do të kenë ndikim.
Kjo parti nuk do të bjerë pre e kultit të individit. Ju ftojmë të ndërtojmë një institucion ku asnjë udhëheqës të mos mund ta zaptojë apo ta përdorë për interesa vetjake. Ftojmë çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, të bashkohet.
E ardhmja e Shqipërisë nuk do të ndërtohet nga një rreth i mbyllur. Do ta ndërtojmë së bashku, të gjithë të bashkuar për Shqipërinë. Në ditët në vijim do t’ju informojmë për çdo hap që do të hedhim. Faleminderit!
A janë përfshirë pedagogë në këtë parti politike?
Lulzime Faria: Pikësëpari, nisma ka ardhur nga studentët. Ka pedagogë dhe individë të aftë në fusha të ndryshme, të cilët duan të kontribuojnë dhe janë bërë pjesë e kësaj nisme politike.
Thoni se keni themeluar një parti. A i keni mbledhur firmat për t’iu drejtuar gjykatës?
Lulzime Faria: Po, kemi nisur mbledhjen e firmave. Në ditët në vijim do të jemi edhe në shesh. Gjithashtu, do të takojmë qytetarët në fshatra dhe në qytete që t’u prezantojmë partinë tonë dhe që ata të mund të japin firmat e tyre. Pa diskutim, do të kemi edhe dalje televizive për të shpjeguar më shumë.
Në deklaratë pohuat se përfaqësoni studentët, pedagogët dhe intelektualët. Nga cilat fakultete janë studentët që ju mbështesin? Cilët janë këta pedagogë dhe intelektualë? Një parti ka nevojë për emra, përveç emrit të saj.
Lulzime Faria: Patjetër. Siç e thashë, do të kemi dalje publike në vijim. Ne jemi një ekip dhe unë jam një nga anëtarët e tij. Do ta nisim këtë rrugë së bashku dhe do t’ju bëjmë me dije emrat e të gjithë atyre që përbëjnë partinë, si dhe të atyre që do të na bashkohen gjatë rrugës, bashkë me CV-të e tyre.
Është një parti studentore apo një parti qytetare?
Lulzime Faria: Është një parti që bashkon studentë dhe profesionistë. Nisma ka ardhur nga studentët dhe sigurisht që ka edhe profesionistë. Ashtu si studentët nuk mund ta krijojnë të vetëm një parti, edhe intelektualët nuk mund ta bëjnë këtë pa pjesëmarrjen e studentëve. Prandaj kemi menduar t’i bashkojmë, por nisma ka ardhur nga studentët.
Zgjedhjet vendore janë në prag. A do të garoni në të gjitha bashkitë, për këshillat bashkiakë dhe për kryetarë bashkish?
Lulzime Faria: Këto janë çështje që do t’i shqyrtojmë në vijim, në varësi të situatës politike në të cilën do të gjendet Shqipëria.
A do të jetë kjo e vetmja parti e dalë nga studentët apo do të ketë edhe parti të tjera?
Lulzime Faria: Nuk kemi dijeni për parti të tjera të dala nga studentët. Kemi dijeni për lëvizje dhe deri këtu mbetemi. Faleminderit!
A mund të thoni se përfaqësoni sheshin e protestës?
Lulzime Faria: Faleminderit! Do të shihemi në ditët në vazhdim. Faleminderit shumë! Mirupafshim!

